Një italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi për vrasjen e një prej drejtuesve të mafias kalabreze të “Ndragheta”-s, është ndaluar nga policia e Durrësit ditën e sotme, teksa kishte hyrë në vendin tonë i pajisur me dokumente sllovene të falsifikuara dhe po tentonte të udhëtonte drejt vendit të tij. Burime zyrtare bënë me dije se ndaluan 58-vjeçarin Xhuliano Velo, pikërisht në momentin kur po tentonte të kalonte kufirin. Velo kishte planifikuar që të shkonte drejt Italisë me pasaportë dhe kartë identiteti sllovene false.
Nga hetimet e kryera dhe verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se për italianin është lëshuar një urdhër arresti nga Spanja. Policia sqaroi se 58-vjeçari dyshohet se më 9 qershor të këtij viti, ka vrarë me armë zjarri një shtetas tjetër italian, Giusepe Nirta, 52 vjeç, (kreu i familjes San Luca) ngjarje e ndodhur në një lokal në qytetin e Aguilas.
Ekzekutimi ndodhi rreth orës 21:30 të mbrëmjes në lokalin e quajtur “Paraje Charcon” të Aguilas, në rajonin e Andalucisë. Viktima sipas mediave spanjolle është kapo i kartelit mafioz kalabrez, i dyshuar për aktivitet kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta, kryesisht të kokainës nga Amerika e Jugut. Ekspertët konstatuan se një person që mbante kapuç në kokë dhe që dyshohet se është Velo, e ka qëlluar nga pas shpine Nirtën.
Pas krimit Velo ka përfituar duke u arratisur nga Spanja dhe kaluar në mënyrë ende të paqartë nëpërmjet disa shteteve, derisa mbërriti në Shqipëri. Në momentin që është kapur nga Policia Kufitare, i dyshuari ka qenë duke hyrë në sportelin e Portit të Durrësit, me qëllim përpunimin e dokumentacionit dhe imbarkimin në tragetin e linjës së Barit. Fillimisht Velo ka qenë i qetë gjatë komunikimit, por kur inspektorët bënë verifikime të mëtejshme ai është shfaqur nervoz, pasi iu morën edhe gjurmët e gishtërinjve.
Dyshohet se ai është ndihmuar edhe nga persona të tjerë që e kanë strehuar për disa muaj në vendin tonë. Policia e Shtetit po verifikon se kur ka hyrë 58-vjeçari në vendin tonë, rruga që ka përdorur dhe kush e ka ndihmuar. Gjithashtu do hetohet se si gjeti dokumentet false sllovene.
Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 25 vjet burg. Për arrestimin u njoftua edhe Interpol Tirana dhe Ambasada e Spanjës, me qëllim që të nisin procedurat për ekstradim nga ana e Madridit.
Velo po mbahet në paraburgim dhe pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Durrësit, ku do kërkohet “arrest me burg”, me afat 40 ditor dhe me qëllime ekstradimi drejt Spanjës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit, për veprime të mëtejshme./American EYE