Aktualitet Kush është Tesilvan Basho, vrau çiftin e të fejuarve dhe skema e...

Kush është Tesilvan Basho, vrau çiftin e të fejuarve dhe skema e arratisjes si në filma nga burgu

Policia ka arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në një konferencë për mediat, zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, tha se Tesi alias Tesilvan Basho, 38 vjeç, u arrestua pas informacioneve të grumbulluara nga autoritetet.

Ky person është dënuar në Itali me burgim të përjetshëm, ndërsa në momentin e operacionit të policisë së shtetit ka tentuar të largohet, por pa sukses, pasi u neutralizua nga agjentët dhe u vu në pranga.

Vrasja në Itali

38-vjeçari Tesilvan Basho, i cili ishte konsideruar si një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri është vënë në pranga nga policia e shtetit sot.

Mediat italiane shkruajnë se Tesilvan Basho, në 24 janar të vitit 2008, ka vrarë dy shtetas rumun, Ramona Nicoara dhe Valentin Dascalu. Viktimat ishin të fejuar me njëri-tjetrin.

Pak përpara se të ndahej nga jeta, Ramona tregon se kush e kishte qëlluar duke thënë se ai ishte shqiptar. Mbi të dy trupat u derdhën 11 plumba.

Viktimat

Tesilvan Basho në Itali njihej me nofkën Thesis. Pas vrasjes së dy rumunëve, ai largohet nga Italia, por arrestohet në Amsterdam. Nëpërmjet një urdhri të prokurorisë vendoset që ai të ekstradohet në Itali për t’u njohur me akuzën e vrasjes.

Në vitin 2016, Gjykata e Torinos, e dënon atë me burgim të përjetshëm për veprat penale të vrasjes, shfrytëzim prostitucioni dhe mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit.

Por nuk kalon shumë kohë dhe ai po në të njëjtin vit, arratiset nga burgu i Rebibbos në Itali.

Skema e arratisjes ishte nga ato që shihen edhe në filma.

Së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Ilir Pere dhe Mikel Hasanbelli, sharrojnë hekurat e qelisë dhe mbi të vendosin një këmishë me qëllim për të mbuluar hapësirën e krijuar nga prerja e hekurave. Ata kishin punuar për një kohë të gjatë në heshtje dhe askush nuk i kishte kuptuar.

Kur gjetën momentin e duhur, ata lidhin njëra pas tjetrës, çarçafë dhe batanije çka i mundësoi atyre zbritjen në tokë. E paqartë për autoritetet italiane ka qenë fakti nëse ata më pas janë larguar në këmbë apo ka qenë dikush jashtë duke i pritur.

Më pas Basho, mbetet i kërkuar i drejtësisë italiane për veprat e akuzuara, për të cilat gjykata e Torinos e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.