Kryesore Kush ishin vikingët? Pse u shfaqën befas në faqet e historisë, fama...

Kush ishin vikingët? Pse u shfaqën befas në faqet e historisë, fama 300-vjeçare dhe “zhdukja”

Ishte një ditë qershori e vitit 793 të e.s.

Murgjit e ishullit të vogël Lindisfarn, i quajtur edhe i Shenjti, afër bregut të Northumberlandit në Angli, po merreshin qetë-qetë me punët e tyre, pa ditur gjë për anijet elegante e të ulëta që po afroheshin me të shpejtë duke çarë dallgët.

Anijet mbërritën në breg dhe disa burra mjekroshë me pamje të egër kërcyen prej tyre duke vringëlluar shpata e sëpata dhe u turrën drejt manastirit. Sulmuan murgjit e llahtarisur dhe bënë një masakër të madhe. Grabitësit plaçkitën arin, argjendin, xhevahirët dhe pasuri të tjera të manastirit. Pastaj u drejtuan sërish për nga Deti i Veriut dhe u zhdukën.

Plaçkitësit qenë vikingë dhe grabitjet e tyre brutale të befasishme tërhoqën vëmendjen e Evropës dhe shënuan fillimin e epokës vikinge. Shpejt vikingët ngjallën një tmerr të atillë, sa anembanë Anglisë përsëritej dendur lutja: “Nga furia e vikingëve shpëtona, o Zot.”

Kush ishin vikingët?

Përse u shfaqën befas në faqet e historisë si nga hiçi, ruajtën famën për tre shekuj dhe pastaj, me sa duket, u zhdukën?

Bujq dhe plaçkitës

Paraardhësit e vikingëve ishin popuj gjermanë që, rreth 2000 vjet para epokës vikinge, nisën të shpërngulen nga Evropa Veriperëndimore në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi, pra, në Skandinavi.Ashtu si stërgjyshët e tyre, vikingët ishin bujq, madje edhe ata që merrnin pjesë në grabitje. Në pjesët më të ftohta të Skandinavisë ishin më të varur nga gjuetia, nga peshkimi dhe nga gjuetia e balenave. Vikingët tregtarë jetonin në komunitete më të mëdha dhe prej këtyre qendrave u binin kryq e tërthor rrugëve tregtare të Evropës me anijet e tyre të fuqishme me vela. Ç’gjë do të bënte, pra, që vetëm në një brezni këta njerëz në pamje të parë të padëmshëm të shndërroheshin nga të panjohur në famëkëqinj?

Një mundësi është mbipopullimi, por shumë historianë mendojnë se kjo duhet të ketë qenë e vërtetë vetëm për Norvegjinë Perëndimore, ku toka e punueshme ishte e paktë. Në veprën The Oxford Illustrated History of the Vikings thuhet: “Shumica e brezave të parë të vikingëve nuk kërkonin tokë, por pasuri.” Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për mbretërit dhe prijësit, të cilët kishin nevojë për të ardhura të mira që të mbanin pushtetin. Vikingë të tjerë mund të jenë larguar nga Skandinavia për t’u shpëtuar gjakësive familjare dhe luftërave lokale.

Një faktor tjetër mund të ketë qenë fakti që për burrat e kamur vikingë ishte e zakonshme të kishin më shumë se një grua. Si rezultat, kishin shumë fëmijë. Por, zakonisht, trashëgiminë e familjes e merrte vetëm djali i parëlindur, e kështu motrave e vëllezërve të tij më të vegjël u duhej ta siguronin vetë jetesën. Sipas librit The Birth of Europe, bijtë që s’trashëgonin gjë “përbënin një elitë luftarake të madhe e të rrezikshme, që ishte e detyruar të çante vetë në jetë me çfarëdo mënyrash, qofshin ato pushtime në vendin e tyre, qofshin pirateri në vende të huaja”.

Vikingët kishin mjetin e duhur për të bërë grabitje të befasishme: anijen vikinge.

Historianët e mburrin anijen vikinge si një nga arritjet më të shkëlqyera teknologjike të Mesjetës së hershme. Me një thellësi lundrimi të vogël dhe të fuqizuara nga velat ose nga rremat, këto anije elegante i bënë vikingët padronë të çdo deti, liqeni dhe lumi deri atje ku mund të arrinin.

Shtrirja e vikingëve

Disa historianë thonë se epoka vikinge nisi në mesin e shekullit të tetë, tamam para grabitjes që bënë vikingët në Lindisfarn. Sido që të jetë, grabitja e Lindisfarnit ndihmoi që vikingët të binin në sy.

Nga Anglia iu kthyen Irlandës, duke vënë edhe njëherë në shënjestër manastiret plot thesare. Me anijet të mbushura me plaçkë dhe me skllevër, vikingët ktheheshin në vendin e tyre për të kaluar dimrin. Mirëpo, në vitin 840 të e.s., e thyen traditën dhe dimëruan në vendet që plaçkitën. Qyteti irlandez i Dublinit, në fakt, i pati fillimet si një bashkësi vikinge. Në vitin 850 të e.s. ata nisën të dimëronin edhe në Angli, ku baza e tyre e parë qe ishulli Tanet, në grykën e lumit Tamiz.

Pas pak kohe vikingët e Danimarkës dhe ata të Norvegjisë mbërritën në ishujt britanikë jo më si grupe plaçkitësish, por si ushtri me flota të vogla. Disa nga anijet mund të kenë qenë 30 metra të gjata dhe mund të kenë mbartur deri në 100 luftëtarë. Gjatë viteve që pasuan vikingët nënshtruan Anglinë Verilindore, një zonë e cila u bë e njohur me emrin Deinlo, që në anglisht ka kuptimin ‘ligji danez’, pasi atje mbizotëronte kultura dhe ligji danez.

Megjithatë, në jug të Anglisë, në Uesiks, mbreti sakson Alfred dhe pasuesit e tij i zmbrapsën vikingët. Por më vonë, pas një beteje të madhe në Ashington më 1016 dhe vdekjes së mëvonshme të mbretit Edmund të Uesiksit gjatë po atij viti, udhëheqësi viking Kanuti​—i cili pohonte se ishte i krishterë​—u bë mbreti i vetëm i Anglisë.

Në zemër të Evropës e përtej

Në vitin 799 të e.s., vikingët danezë nisën të grabitnin zonën që asokohe quhej Frizí​—rajoni bregdetar i Evropës që shtrihet pak a shumë nga Danimarka deri në Holandë. Prej këtej ata lundruan në lumenj si Luara e Sena dhe grabitën qytete e fshatra në zemër të Evropës. Më 845 të e.s., vikingët plaçkitën madje edhe Parisin. Mbreti i frankëve, Karl i Shogëti, u dha 3.000 kilogramë argjend që të tërhiqeshin nga qyteti. Por ata u kthyen e, madje, bënë plaçkitje edhe përtej Parisit, deri në Truá, Verdun dhe Tul.

Vikingët lundruan edhe për në Spanjë e Portugali, ku, me sa dihet, grabitjen e parë e bënë në vitin 844 të e.s. Plaçkitën disa qytete të vogla dhe, madje, pushtuan përkohësisht Seviljen.

“Mirëpo mbrojtësit arabë, ​— thuhet në Cultural Atlas of the Viking World, ​— u bënë një rezistencë kaq të ashpër, saqë vikingët u zmbrapsën shpejt dhe forcat e tyre thuajse u shkatërruan.” Gjithsesi, në vitin 859 të e.s. ata u kthyen, kësaj radhe me një flotë prej 62 anijesh. Pasi bastisën disa pjesë të Spanjës, grabitën Afrikën Veriore; e ndonëse tanimë anijet ishin plot e përplot me plaçkë, vazhduan rrugën për në Itali dhe plaçkitën Pizën e Linën (më parë quhej Luna).

Vikingët e Suedisë lundruan drejt lindjes përmes Baltikut dhe u futën në disa nga lumenjtë e mëdhenj të Evropës Lindore: Volkov, Lovat, Dnieper dhe Vollgë. Kjo i nxori përfundimisht në Detin e Zi dhe në vendet e kamura të Perandorisë Bizantine. Madje disa tregtarë vikingë arritën në Bagdad nëpërmjet lumit Vollgë dhe Detit Kaspik. Së fundi, prijësit suedezë u bënë sundimtarët e hapësirës së paanë të vendeve sllave që përshkoheshin nga Dnieperi dhe Vollga. Pushtuesit quheshin Rus, një term për të cilin disa mendojnë se është origjina e fjalës “Rusi”​—”Toka e Rusit”.

Për në Islandë, Groenlandë dhe Njufaundlend

Vikingët e Norvegjisë u përqendruan në shumë nga ishujt e largët. Ata pushtuan, për shembull, ishujt Orkade dhe Shetlande në shekullin e tetë dhe ishujt Farer, Hebride e Irlandën Lindore në shekullin e nëntë. Vikingët, madje, kolonizuan Islandën. Atje vendosën Altingun, trupin parlamentar.

Altingu, që ekziston ende si organ drejtues në Islandë, është asambleja parlamentare më e vjetër e Perëndimit.

Më 985 të e.s., një viking i quajtur Erik i Kuqi formoi një koloni në Groenlandë. Ca më vonë, po atë vit, një tjetër viking, Bjarni Herjolfson, u nis nga Islanda për t’u bashkuar me prindërit e tij në Groenlandë. Por devijoi nga rruga dhe e kaloi Groenlandën. “Bjarni qe ndoshta i pari viking që pa Amerikën Veriore”,​—thuhet në Cultural Atlas of the Viking World.

Në bazë të raportit të Bjarnit, dhe ndoshta pas vitit 1000, Lif Eriksoni, biri i Erik të Kuqit, lundroi drejt perëndimit, nga Groenlanda në ishullin Bafin, e pastaj poshtë, përgjatë brigjeve të Labradorit. Ai arriti në një kep që e quajti Vinland, nga boronicat e kuqe që rriteshin atje. Lifi dimëroi në atë vend para se të kthehej në Groenlandë. Vitin pasues, vëllai i Lifit, Turvali, udhëhoqi një ekspeditë për në Vinland, por u vra në përleshje me vendasit. Megjithatë, pak vite më pas, një grup me 60 deri në 160 vikingë formoi një koloni në Vinland.

Por, për shkak të armiqësisë së pareshtur të popullsisë indigjene, qëndruan atje vetëm nja tre vjet, për të mos u kthyer kurrë. Kaluan gati 500 vjet para se një eksplorues italian që shërbente në Angli, Xhovani Kaboto, t’i jepte Anglisë mundësinë për të pretenduar që Amerika Veriore i përkiste asaj.

Fundi i epokës vikinge

Aty nga fundi i epokës së tyre, vikingët kishin krijuar një sërë shtetesh të reja politike, mbi të cilat sundonin dinasti skandinave. Por ata nuk mbetën të huaj për shumë kohë, sepse me kalimin e kohës mjaft vikingë përvetësuan kulturat e reja, madje edhe në aspektin fetar. Për shembull, prijësi viking Rolo, i cili pushtoi atë pjesë të territorit në brigjet e Francës që është quajtur Normandi (që do të thotë “Toka e vikingëve” ose e normanëve), u kthye në katolik. Një nga pasardhësit e tij ishte Uilliami, duka i Normandisë. Pas betejës së Hastingsit më 1066, që vuri kundër njëri-tjetrit pasardhësit e vikingëve të Normandisë dhe ata të vikingëve të Anglisë, fitimtari, duka Uilliam, u kurorëzua mbret i Anglisë.

Uilliami bllokoi menjëherë çfarëdo ndikimi të mëtejshëm skandinav në Angli dhe nisi një epokë të re feudale që përfshinte sisteme mesjetare franceze qeverisjeje, pronësinë e tokës dhe ekonominë. Prandaj, “nëse duhet zgjedhur një datë që shënon fundin e Epokës Vikinge,​ — thuhet në librin The Vikings, nga Elsa Rosdal, ​— ajo duhet të jetë viti 1066″. Shekulli i 11-të pa, gjithashtu, transformimin e mbretërive fillestare vikinge të Skandinavisë në shtete të pavarura.

Tre shekujt e historisë së vikingëve janë të mbushura me ngjarje. Gjithsesi, imazhi i vikingëve si asgjë tjetër veçse barbarë plaçkitës që vringëllonin shpata e sëpata nuk është një imazh i plotë.

Ata treguan, gjithashtu, se ishin njerëz që përshtateshin, duke kolonizuar me kalimin e kohës vende të largëta e, madje, duke e bërë të tyren kulturën vendase. Si bujq ata zunë rrënjë në vendbanime të përhershme dhe si sundimtarë u ulën në frone të huaja.

Po, vikingët treguan se ishin zotër jo vetëm të lundrimit e të shpatës, por edhe të plugut e të politikës.

FEJA E VIKINGËVE

Vikingët adhuronin shumë perëndi mitikë, ku përfshiheshin: Odini, Thori, Freji, Freja dhe Heli. Odini, perëndia i mençurisë dhe i luftës, qëndronte në krye të perëndive. Gruaja e tij ishte Friga. Thori ishte vrasës i gjigantëve dhe sundimtar i erërave e i shiut. Freji ishte një perëndi imoral i paqes dhe i pjellorisë. Motra e tij, Freja, ishte perëndeshë e dashurisë dhe e pjellorisë. Heli ishte perëndeshë e botës së përtejme.

Mitologjia vikinge është baza për emrat e disa ditëve të javës në gjuhën angleze e në një sërë gjuhësh të tjera. Disa ditëve, për shembull, u është vënë emri sipas perëndive Tir, Uoden, Thor dhe Friga.

Ashtu si adhuruesit e tyre, për perënditë vikinge thuhej se i siguronin pasuritë nëpërmjet vjedhjeve, guximit të marrë dhe dredhive. Odini premtonte se ata që vdisnin trimërisht në betejë do të kishin një vend në mbretërinë hyjnore të Asgardit (një shtëpi e perëndive), në sallonin e madh të Valhallës. Atje mund të shtroheshin në gosti e të luftonin sa t’u donte qejfi. Fisnikët vikingë shpesh varroseshin me një varkë ose me gurë që vendoseshin në formë varke. Bashkë me ta varroseshin edhe ushqime, armë, zbukurime, kafshë të therura e, ndoshta, edhe një skllav i sakrifikuar. Me mbretëreshën mund të varrosej edhe një shërbëtore e saj.

Helmeta me brirë, që në përgjithësi mendohet se u përket vikingëve, daton më shumë se 1.000 vjet para epokës vikinge dhe duket se mbahej vetëm për raste ceremoniale. Luftëtarët vikingë ose mbanin helmeta të thjeshta konike prej metali a prej lëkure, ose vendosnin të mos mbanin fare helmetë. /American Eye