Destinacioni përfundimtar i sasisë së kokainës prej 137 kg të bllokuar në tre kontinierë nga policia në portin e Durrësit, do të ishte qyteti i Fierit dhe Elbasanit. Dy grupe kriminale mjaft të fuqishme dhe me ndikim të madh në këto dy qytete, dyshohet se kishin porositur sasinë e kokainës nga Ekuadori.
Ngarkesa ishte paketuar dhe futur në një konteiner frigoriferik me banane të kompanisë “Alba Exotic Fruit” e Eduard Dautit, që ishte nisur nga Ekuadori në drejtim të portit të Pireut në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Durrësit, ku destinacioni final do të ishte në Elbasan dhe në Fier. Sasia e drogës që kap një vlerë në tregun evropian mbi dy milion euro, është porositur nga dy grupe kriminale.
Mirëpo gjatë operacionit policor të koduar “Kuito”, prangat e policisë janë zgjatur deri tek Ardian Bega, një person nga Skrapari,me detyrë punonjës sigurie në portin e Durrësit dhe Altin Myslihaka një person i mbaruar ekonomikisht, mbledhës kanaçe dhe skrapi në port si dhe “shërbëtor” i Gentian Malindit, të cilit i pastron anijen e peshkimit që disponon në molin e peshkatarëve në Durrës.
Ndërsa për sa i përket prekjes së kokave të këtyre dy grupeve kriminale në Elbasan dhe Fier, A.C. e L.M, Policia e Shtetit ka qëndruar indiferente, kjo për shkak edhe të mungesës së provave.
I vetmi person që është shpallur në kërkim është Gentian Malindi, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi në Durrës dhe që disponon një anije peshkimi në portin e Durrësit. Ka shumë gjasa që Malindi dhe Ardian Bega, kanë pasur dijeni se çfarë do nxirrnin nga konteineri, kundrejt premios financiare të premtuar nga dy organizatat kriminale.
Gentian Malindi është një personazh i njohur për policinë shqiptare dhe me probleme me drejtësinë, pasi i ka shpëtuar ndjekjes penale teksa është kapur nga policia e Durrësit në timonin e një furgoni të mbushur me 289,39 kg material bimor Cannabis Sativa të futura në 29 qese.
Malindi ka njohje dhe shoqëri me Ervis Bardhin një i dënuar me 8 vite burgim për sasinë 289 kg drogë të kapur në Kavajë dhe i dyshuari kryesor nga prokuroria e Elbasanit për vrasjen e babë e bir në Elbasan, Gentian dhe Nezir Beqiri. Bardhi nuk ka vepruar i vetëm në këtë ngjarje të ndodhur në gusht të 2012, por ka pasur bashkëpunëtorë dhe financues.
Bardhi dhe Malindi në periudhën kur janë arrestuar në 2013 kanë shërbyer si transportues të një furgoni të mbushur me drogë, ku Bardhi ka pranuar se do të merrte 500 euro për këtë punë nga një person i quajtur “Ardian”.
Ndërsa në këtë ngjarje i ka rrëshkitur akuzës së prokurorisë dhe burgut Gentian Malindi, i cili edhe pse është kapur brenda në furgon dhe në timon, ai ka pohuar se thjesht donte të provonte të drejtonte furgonin dhe se skishte dijeni për këtë trafik. Përgjegjësinë e ka marrë Ervis Bardhi, duke dhënë dhe alibinë e tij për këtë ngjarje i cili ka pranuar se ka shërbyer si korrier, veprim për të cilin është dënuar me 8 vite burgim.
Në dëshminë që ka dhënë në gjykatën e Kavajës Ervis Bardhi ka treguar se në 6 qershor 2013 e ka telefonuar Olsi Leka, i paindividualizuar nga policia, pasi me këtë gjeneralitet figurojnë shumë persona dhe i ka kërkuar që të nesërmen të shkonte në Tiranë, ku do të takoheshin me një shokun e tij të quajtur “Ardian”, por që e thërrisnin “Feti”, i cili kishte një problem e i duhej një shofer për të drejtuar një furgon dhe se do ta sqaronte kur të takoheshin.
Bardhi më tej ka treguar se në 7 qershor 2013 nga qyteti i Elbasanit ka shkuar në Tiranë, ku është takuar me Olsi Lekën që po e priste me një veturë. Olsi i ka thënë se do të niseshin për në Kavajë dhe kështu kanë vepruar. Gjatë rrugës, në afërsi të Plepave në Durrës, Olsi i ka thënë Ervisit se një njeriut të Adrianit i kishte mbetur furgoni ne Kavaje e se nuk kishte shofer.
Pas disa orësh ka ardhur edhe Ardiani që e thërrasin “Feti” e janë takuar. Ardiani e ka vënë në dijeni të faktit se në furgon kishte hashash e se do të shpërblehej në shumën 500 Euro, nëse ai do ta lëvizte furgonin. Fillimisht Bardhi ka hezituar, por pasi kanë levizur deri tek “Bishti i Zhurit” e pasi Ardiani ka këmbëngulur, Ervis Bardhi, ka pranuar e ka marrë furgonin. Para se të merrte furgonin, Ardiani i ka dhënë Ervis Bardhit një telefon celular ku ishte regjistruar emri “Ari” dhe i ka thënë se në atë telefon dhe nga numri i “Arit” do t’i vinin mesazhe që do ta orientonin në lëvizjen e tij deri në destinacion, duke shtuar që të mos bëhej merak, pasi ai, Ardiani do ta mbikëqyrte gjatë gjithë rrugës.
Në datën 7 qershor 2013, në orën 20:50 shërbimet e policisë të Durrësit kanë konstatuar një furgon “Benz” me targa AA 938 AE që kanë ndaluar në zonën e vendit të quajtur “Mali i Robit”. Për këtë mjet ata kishin informacion në rrugë operative se po transportohej lëndë narkotike me destinacion Durrësin. Mjeti ishte vjedhur në Tiranë dhe ishte denoncuar pikërisht në komisariatin nr. 2, në kryeqytet.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë është arrestuar dhe Gentian Malindi, por në caktimin e masës së sigurisë gjyqtarja Shpëtime Pitaku, ka pohuar se Gentian Malindi, nuk është kapur në kryerje e sipër të veprës penale, nuk ka qënë në ndjekje nga policia,nuk është kapur me asnjë send apo prove materjale të cilat ta implikojnë në kryerjen e veprës penale për të cilën dyshohej. “…gjendja e tij aty në afërsi të fugonit ku u arrestua edhe Ervis Bardhi rezulton të ketë qenë e rastësishme…”-thotë gjyqtarja.
Ndërkohë për sa i përket dy organizatorëve Ardianit me nofkën “Feti” dhe Olsi Leka, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre sot e kësaj dite./ Shqiptarja.com