Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar gjatë ditës së sotme me publikimin e dy emrave të tjerë, nga të cilët kërkon që të justifikojnë burimet e pasurisë.
Në një deklaratë për mediat, punonjësja e OFL-së bëri me dije se duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo 47 vjeç.
Të dy këta persona janë nga Berati dhe kanë qenë të dënuar në Itali për trafik droge. Mësohet se Edison Çobo ka qenë i arrestuar edhe në vendin tonë për kultivim të lëndëve narkotike.
Ata duhet të dorëzojnë pranë OFL-së deklaratën e tyre të pasurisë brenda 48 orësh.
Njoftimi i Operacionit Forca e Ligjit:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
G. M., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
E. Ç., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë