“Ky është Dritëroi im”, është titulli i librit më të ri kushtuar Dritëro Agollit, i cili del në dritën e botimit në një situatë të vështirë të krijuar nga pandemia Covi -19. Projekti për librin me kujtime “u la në mes” nga bashkëshortja e shkrimtarit të madh Sadije Agolli, e cila ndërroi jetë në mënyrë të papritur një vit më parë. Ndërsa shkrimtari i madh Dritëro Agolli ndërroi jetë tre vjet më parë, në këtë libër me kujtime Dritëro Agolli vjen i gjallë dhe me një profil të plotë për vetitë e tij të rralla njerëzore.
Libri që sapo ka dalë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Dritëro” ka rreth 1000 faqe me kujtime dhe mbresa kushtuar këtij personaliti të shquar të letrave shqipe.
Libri me kujtime “Ky është Dritëroi im” u promovua sot në Bibliotekën e Paqes Globale. Gjatë këtij promovimi përmes poezisë, artistët Bujar Asqeriu dhe Kliti Roshi rrëfyen kujtimet e tyre për Agollin.
Në një promovim modest në Bibliotekën e Paqes Globale artistët Bujar Asqeriu dhe Kilt Roshi rrëfyen njohjen e tyre me shkrimtarin, jo vetëm në letërsi, por edhe si skenarist në kinematografi.
“Kam pas fatin që ta takoj nga afër, ti jap dorën edhe të përqafohem me të. Në një aktivitet i kisha dhuruar një kasetë me poezi të Ali Asllanit. Prej tij pashë, se të mëdhenjtë flasin mirë për të mëdhenjtë. Dritëroi kishte dashuri për njerëzit, për tokën, për çdo gjë, edhe gjatë gjithë krijimtarisë së tij, përcolli këtë dashuri, prandaj edhe njerëzit i ishin mirënjohës”, tregon aktori Bujar Asqeriu, i cili ka luajt në filmin me skenar të Agollit, “Njeriu i mirë” rolin e Telos.
“Filmin e parë e kam luajt tek “I teti në bronx” me skenar të Agollit edhe regji të Viktor Gjikës. Sa kohë ndenja unë në sheshxhirim, ai nuk u shkëput asnjë sekondë nga grupi i xhirimit. Jo për të bërë vrenjtje, por thjesht për të ndihmuar njerëzit. Ishte një skenar i politizuar, por me ndërhyrjet që bënte ai, filmi u shkarkua në këtë drejtim”, rrëfen Roshi.
Misioni Diplomatik Paqe edhe Prosperitet në mbyllje të aktivitetit ndau titullin e lartë Misionar i Paqes Globale si dhe “Ambasadori i Artë Richard Holbrooke” (Golden Ambassador Richard Holbrooke) (pas vdekjes), të cilën profesor Fatos Klosi ia dorëzoi artistes Marjana Kondi, për shkak se familjarët e Agollit në këto ditë të vështira për shkak të COVID 19 gjenden në Vlore.