Politika Koronavirusi në Shqipëri që në janar? Përgjigjet ministrja Manastirliu

Koronavirusi në Shqipëri që në janar? Përgjigjet ministrja Manastirliu

Prej disa ditësh edhe në Shqipëri po zhvillohet debati nëse koronavirusi ka qarkulluar më herët se data zyrtare të “pacientit zero”. Në fillim Italia dhe më pas edhe Franca e kanë pranuar se pacientë me koronavirus ka pasur në vendet e tyre që pas Krishtlindjeve dhe në fillim të Vitit të Ri.

Në Shqipëri këtë tezë e kanë hedhur disa mjekë që kanë publikuar edhe grafi të mushkërive të pacientëve të tyre. Lidhur me këtë tezë ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që e ka hedhur poshtë pretendimin.

“Mund t’ju them që Komiteti i Ekspertëve me epidemiologë dhe mjekë që kanë ndjekur situatën që nga shfaqja e kësaj sëmundjeje nuk kanë asnjë të dhënë shkencore për ekzistencën e covid që në dhjetor apo në janar. Nuk bëhet fjalë për skanerat, por për analiza të certifikuara. Nuk duhet të ngatërrojmë skanerat e mushkërive me këtë çështje sepse nuk vërtetohet në këtë mënyrë”, tha ministrja në emisionin “Opinion”.