Qindra kishat dhe xhamitë që u braktisën në fatin e tyre gjatë komunizmit në Shqipëri tani janë shndërruar në epiqendër të “Rrugës së Besimit”, një itinerar turistik nëpërmjet të cilit qeveria kërkon të rimëkëmbë pasurinë kulturore të vendit, shkruan gazeta e njohur spanjolle ”La Vanguardia”.
”Shumica janë kisha të epokës bizantine dhe postbizantine në jug të vendit, që përbëjnë një thesar të trashëgimisë së pasur artistike të krijuar nga ndërtuesit më të mirë dhe mjeshtrat e afreskeve, altareve artistike dhe ikonave në epokat e tyre.
Aktualisht, 19 tempuj janë rehabilituar dhe 15 të tjerë, nëntë kisha dhe gjashtë xhami, janë duke u ndërtuar, nga një total prej 235 që kanë nevojë të rinovohen sipas Ministrisë së Kulturës dhe të Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Konservimi i këtij vendi të shenjtë si pjesë e programit qeverisës “Rrugët e Besimit” ka një buxhet prej tre milionë eurosh dhe synon jo vetëm që t’i rikthejë në vende kulti, por t’i transformojë në destinacione turistike.
Në Shqipëri, 60% e 2,8 milionë banorëve janë myslimanë dhe 17% të krishterë, katolikë dhe ortodoksë.
“Për të promovuar këto pasuri kulturore, dy programe të tjera janë zhvilluar paralelisht, ‘Rrugët e Memorjes’, burgje, kampe të punës të epokës komuniste, si dhe rehabilitimi i qendrave historike urbanistike”, shpjegon për EFE, Kozeta Angjeliu, drejtoreshë e Programit Kombëtar të Kulturës.
“Kishat, që ndodhen në zona të largëta janë më të shkatërruara, ndërkohë që xhamitë janë më mirë të ruajtura, sepse janë ndërtime më të reja dhe ndodhen në qendra të populluara”, thekson Angjeliu.
Një prej kishave më të vjetra dhe të dëmtuara është Shën Mëria, pranë fshatit Peshkëpi, në kufi me Greqinë, e rrethuar nga qiparisë dhe e ndërtuar në shekullin XI mbi një kodër që sheh mbi luginën pjellore të lumit Drinos.
Në korrik filloi restaurimi i këtij tempulli plot të çara dhe me bimë që ishin rritur edhe sipër çatisë së tij.
Kjo është një kishë plot afreske që përfaqëson bashkësinë e Apostujve, vdekjen e Virgjëreshës, Krishtin mbi fron ose Virgjëreshën me fëmijën Jezus.
Sipas studiuesve, karrigia peshkopale që ndodhet nën kupolë dhe teknikat e ndërtimit të çatisë në formë anfore për ta bërë atë më të lehtë, e bëjnë këtë kishë unike.
“Kisha ka shumë faza ndërtimi ashtu si pikturat e saj, ajo që po restaurohet tani daton në vitin 1510, por ka fragmente të tjera më të vjetra”, thotë Edlira Caushi, restauruese dhe profesoreshë e konservimit dhe trashëgimisë kulturore.
Me një numër turistësh gjithnjë e në rritje, që këtë vit arriti në gjashtë milionë, Shqipëria është në listën e 10 destinacioneve të botuesit të librit të udhëtimeve “Lonely Planet”.
Pak kilometra drejt jugut, kisha ortodokse e rikonstruktuar e fshatit Labova e Kryqit, kushtuar Virgjëreshës Mari, është shndërruar në një vend pelegrinazhi për dashamirësit e kulturës dhe turizmit fetar.
“Ky tempull hyjnor i një rëndësie të jashtëzakonshme është krenari jo vetëm për fshatin dhe zonën tonë, por për të gjithë Shqipërinë”, thotë Stefan Miha, mësuesi 82-vjeçar në pension.
Miha shpjegon se kjo është një nga 40 kishat e ndërtuara nga perandori Justiniani I, për bashkëshorten e tij Theodora.
Plaku kujton me trishtim vjedhjen e kryqit në vitin 1989, një relike e dërguar nga Justiniani I, që përmbante 150 gramë nga druri i Kryqit të Shenjtë si edhe grabitjen e 18 ikonave 200-vjeçare.
Kishat ishin të mbyllura gjatë regjimit komunist, i cili shkatërroi shumë vende të shenjta pasi ndaloi lirinë e besimit në vitin 1967 dhe e shpalli me ligj Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë.
Ato që mbetën u kthyen edhe në cirk, si xhamia e Pazari të Ri në Gjirokastër, në kapanone ushtarake si teqeja bektashie e Melanit në malin e Lunxhërisë dhe në qendra sportive si Kisha e Madhe Katolike e Shkodrës.
Pas rënies së komunizmit në vitin 1991 dhe rivendosjes së besimit fetar, shumë tempuj që i mbijetuan diktaturës së ashpër komuniste u plaçkitën nga tregtarët e artit dhe antikuaristët.