Tri ditë më parë i shkoi shumë pranë përmbysjes së madhe ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, por për një gol nuk ia doli të vijojë më tej, ndërsa sot Laçi konfirmoi se është rikthyer në formën e vet më të mirë.
Kurbinasit mposhtën me rezultatin e thellë 5-0 Teutën, në një sfidë mjaft të rëndësishme përsa i përket renditjes, pasi të dy skuadrat luftojnë për një vend në kupat europiane.
Oktopu, Xhixha dy herë, Lushkja dhe Domgjoni shënuan për Laçin, që nuk e vuri për asnjë moment në diskutim rezultatin e sfidës së sotme. Me këtë triumf, Laçi shkon në kuotën e 41 pikëve, duke parakaluar Skënderbeun, ndërsa tashmë është vetëm dy pikë pas Teutës së vendit të tretë.
Në stadiumin “Redi Maloku” ishte Kastrioti që festoi, pasi mposhti Kukësin me rezultatin 2-1 me përmbysje dhe rindezi më shumë se kurrë shpresat për të mbijetuar mes 10 më të mirëve të futbollit shqiptar.
Nga ana tjetër, verilindorët duket se dalin përfundimisht nga gara për titullin, veçanërisht nëse Partizanit do të arrijë të marrë pikët e plota në sfidën ndaj Luftëtarit, pas pak në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Në sfidën e sotme ishte Kukësi i Ramazan Ndreut që kaloi i pari në avantazh, me golin e shënuar nga sulmuesi vlonjat Vasil Shkurtaj, ndërsa krutanët shënuan dy herë në pjesën e dytë, duke përmbysur gjithçka.