Lindi Xhulia (Giulia), e bija e Mattias, e pacientit të parë me koronavirus në Itali. Ai doli nga spitali rreth dy javë më parë, pas qëndrimit njëmujor në spital. Gruaja e tij Valentina, e cila ashtu si ai ishte e infektuar dhe ishte shtruar në spital në muajin e tetë të shtatëzanisë, u shërua para burrit të saj dhe lindi vajzën e tyre të parë në spitalin Sacco në Milano, njofton “La Republicca”
38-vjeçari nga Codogno, i cili më 20 shkurt ishte klasifikuar si i infektuari i parë në Itali, ishte larguar nga spitali “San Matteo” në Pavia, pas shumë ditësh në kujdes intensiv. Gjatë shtrimit në spital ai mësoi për vdekjen e babait të tij, viktimë e Covid-19. Duke dalë nga spitali ai ishte shprehur: “E vetmja dëshirë që kam është të jem në gjendje të marr pjesë në lindjen e vajzës time. Mjekët më sigurojnë që do ta bëjnë”.