Seleçao është në ankth, pasi mund ta humbë Neymarin për gjithë turneun. Edhe Danilo jashtë deri në fazën e 1/8-ve. Ndaj Zvicrës pritet të luajë Rodrigo në sulm.
Lajme të këqija për Brazilin, që e komplikojnë ndjeshëm Botërorin e tij. Diagnoza e doktor Rodrigo Lasmar për dëmtimin e Neymarit lë pak shpresë:
“Ekzaminimet kanë treguar një dëmtim të ligamenteve të kaviljes së djathtë të Neymarit. Edhe dëmtimi i Danilos, po në kavilje, nuk është i lehtë. Lojtarët janë në trajtim mjekësor, është shumë e rëndësishme të ruajmë qetësinë. Mund të themi se Neymar dhe Danilo nuk do jenë në ndeshjen e radhës, do të vazhdojnë kurimin, sepse duam t’i rikuperojmë për më tej”.
Tite nuk mund ta llogarisë yllin e PSG-së të paktën deri në 1/8-at, por sipas shtypit brazilian, Neymar e ka mbyllur Botërorin. Sot Neymar dhe Danilo kanë kryer fizioterapi. Të hënën ndaj Zvicrës pritet që në sulmin e Brazilit të aktivizohet Rodrigo.
Dëmtimi i Danilos është një shans i artë për Dani Alves, që është grumbulluar dhe me shumë gjasa do të luajë titullar në sfidat e radhës në grupe.