Sport Lajme të këqija për Brazilin, Neymar rrezikon ta mbyllë Botërorin

Lajme të këqija për Brazilin, Neymar rrezikon ta mbyllë Botërorin

Seleçao është në ankth, pasi mund ta humbë Neymarin për gjithë turneun. Edhe Danilo jashtë deri në fazën e 1/8-ve. Ndaj Zvicrës pritet të luajë Rodrigo në sulm.

Lajme të këqija për Brazilin, që e komplikojnë ndjeshëm Botërorin e tij. Diagnoza e doktor Rodrigo Lasmar për dëmtimin e Neymarit lë pak shpresë:

“Ekzaminimet kanë treguar një dëmtim të ligamenteve të kaviljes së djathtë të Neymarit. Edhe dëmtimi i Danilos, po në kavilje, nuk është i lehtë. Lojtarët janë në trajtim mjekësor, është shumë e rëndësishme të ruajmë qetësinë. Mund të themi se Neymar dhe Danilo nuk do jenë në ndeshjen e radhës, do të vazhdojnë kurimin, sepse duam t’i rikuperojmë për më tej”.

Tite nuk mund ta llogarisë yllin e PSG-së të paktën deri në 1/8-at, por sipas shtypit brazilian, Neymar e ka mbyllur Botërorin. Sot Neymar dhe Danilo kanë kryer fizioterapi. Të hënën ndaj Zvicrës pritet që në sulmin e Brazilit të aktivizohet Rodrigo.

Dëmtimi i Danilos është një shans i artë për Dani Alves, që është grumbulluar dhe me shumë gjasa do të luajë titullar në sfidat e radhës në grupe.