Nga Ben Andoni
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të krizës politike, e cila po merr interpretime të ndryshme. Lajmi i këtyre orëve ishte i zakonshmi: specialistët e ndryshëm të ligjit e bëjnë interpretimin e veprimeve të njërës apo tjetrës palë, thjesht sipas ngjyrës politike.
Ndërkohë dy hapa të tjerë priten në orët në vazhdim, ajo që lidhet nga parlamenti me procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës dhe parashikimi se presidenti mund të shkojë në një hap më ekstrem: që lidhet me shpërndarjen e Kuvendit!
Në të dy rastet, vendimi përfundimtar i shkon gjykimit të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Paradoksalisht, për sa kohë ajo ka vetëm një anëtar e ka të pamundur të drejtojë punën e saj.
Kjo do të thotë se kriza në vend do të jetë e stërgjatë dhe do të pritet plotësimi i vendeve në Gjykatën Kushtetuese, që do të mundësojë normalitetin në vend. Paçka ironisë që bëjnë sot të gjithë me Reformën në Drejtësi, ata e votuan atë në masën 100% në parlament dhe kjo na bën qesharakë, por edhe të neveritshëm.
Dhe, kthehemi në momentin kryesor: Lajmi i keq ishte ajo që tha ambasadori Borschard, se krizë e tanishmja ka të bëjë me punët e brendshme të vendit dhe se ata nuk mund të ndërhyjnë!!!
Shqipëria është në një krizë të demokracisë së saj dhe i mungon efiçensa apo mjedisi për mbarëvajtjen e Kushtetutës. Për fatin e keq të njerëzve, e për shkak të makutërisë së pushtetit, gjithçka është modifikuar pas vitit 2008. Tashmë ne korrim pasojat e shkaqeve që na kaluan para syve me ndryshimet e frikshme të atij viti, ku çdo lloj pushteti është i lokalizuar në duart e dy liderave kryesorë të vendit. Mënyra e padrejtë sesi është bërë kjo ujdi përbën dhe bazën nga ku ne ngatërrohemi sot me zhvillimet e vendit. Mungesa e institucioneve të pavarura është një nga pasojat e këtij realiteti që po na mbyt në çdo aspekt. Populli duket se ka edhe më pak zë qoftë edhe sesa në komunizëm, ku pushteti ishte absolut.
Ligji themeltar i Kushtetutës është ndryshuar shumë herë, por përmban aq shumë ligje që lenë mundësi interpretimi saqë kriza është para syve dhe aty qëndron e pakthyeshme.
E vetmja zgjidhje mbetet si gjithmonë atje nga ku gatuhet politika shqiptare: Jashtë vendit. Ashtu do të ndodhë dhe këtë herë për turpin tonë dhe mbi të gjitha pamundësinë e aftësive tona për të zgjidhur problemet e brendshme të vendit. Do mjaftojë një telefon, një emisar dhe palët do të ulen për të gatitur çorbën e re, që do përfundojë me një shtrëngim duarsh.