Miq dhe familjarë i dhanë lamtumirën e fundit George Floyd në Hjuston. 46-vjeçari u vra dy javë më parë, ngjarje e cila nxiti një valë zemërimi kundër brutalitetit të policisë.
Në një kohë reflektimi, vjen një thirrje për veprim. “Amerikë, është koha për ndryshim. Edhe nëse duhet të fillojë me më shumë protesta. Pa drejtësi s’ka paqe”, thotë Brooke Ëilliams, mbesa e viktimës.
Në funeral, pati shpresë dhe optimizëm përtej tragjedisë. Ligjvënësi demokrat Al Green tha se “George Floyd ndryshoi botën. Ne do të bëjmë që bota ta dijë se ai e bëri ndryshimin”.
Në SHBA, ka një shtysë të fortë për të reformuar policinë. Disa, përfshirë këshillin e qytetit të Mineapolis, besojnë se ulja e fondeve për policinë dhe rimodelimi i komisariateve si dhe rialokimi i fondeve në zona të tjera është përgjigja e duhur.
“Duhet të bëjmë ndryshime të thella nga se kemi bërë në të kaluarën”, pohon Lisa Bender, presidente e këshillit të Mineapolis.
Presidenti Donald Trump dhe kundërshtari demokrat, Joe Biden kanë kundërshtuar uljen e fondeve për policinë. Ka dhe të tjerë që bien dakord me këtë qëndrim. Ligjvënësja demokrate, Karen Bass thekson se kjo nuk është gjëja e duhur për t’u bërë.
Por ata që kanë protestuar prej ditësh duan ndryshim. Nëse vdekja e Floyd mund të bashkojë të dyja palët, kjo do të mësohet shumë shpejt.