Kosova LDK refuzon Albin Kurtin: Koalicion vetëm me Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre

LDK refuzon Albin Kurtin: Koalicion vetëm me Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vazhduar diskutimet në distancë edhe në orët e fundit para afatit të regjistrimeve të koalicioneve, por pa arritur asnjë marrëveshje.

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti ka propozuar një zgjidhje tjetër për postin e kryeministrit, pas atij me rrotacion.

Kurti ka kërkuar që të shkojnë në partneritet në zgjedhje por postin e kryeministrit ta fitojë kandidati i cili ka më tepër vota nga qytetarët.

Pas këtij propozimi LDK-ja ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm, i cili ka hedhur poshtë këtë mundësi.

Kandidatja, Vjosa Osmani është shprehur se ky propozim e dëmton seriozisht interesin e përbashkët dhe se gara kalon nga me të tjerët në mes tyre.

Osmani ka thënë se janë të gatshëm për koalicion qoftë para apo pas zgjedhjeve, por vetëm me të kryeministre.

Shoqëria civile vlerëson se këto qëndrime tregojnë se interesimi është për koalicion pas zgjedhor.

Deri tani, janë deklaruar zyrtarisht dy koalicione, AAK- PSD dhe Nisma Socialdemokrate-AKR, por asnjëra prej tyre nuk i ka deklaruar ende në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Këto priten të bëhen deri në mesnatë, kur edhe mbyllet afati.

Letra e plotë e Isa Mustafës:

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.

LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.

LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.

LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.

Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.

Me respekt, Isa Mustafa