Nga Aurenc Bebja*, Francë
Gazeta franceze “Le Radical” ka botuar, të premten e 11 prillit dhe të shtunën e 19 prillit 1924, në ballinë, dy shkrime në lidhje me vrasjen e katër turistëve amerikanë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:
Vrasja e dy amerikanëve
Xhandarmeria shqiptare vret tre nga vrasësit dhe plagos të katërtin.
Londër, 10 prill.
Një mesazh nga Tirana njofton se xhandarmëria shqiptare ka hyrë në kontakt me gjashtë nga vrasësit e dy amerikanëve, Zotërinjtë George Bowen de Long, nga New York-u, dhe Robert-Louis Coloman.
Pas një lufte të ashpër, tre nga vrasësit u vranë dhe një i katërt u plagos.
Gjendja e shtetrrethimit është shpallur në zonën në të cilën supozohet të jenë strehuar banditët.
Qeveria është e vendosur të vazhdojë të veprojë me ashpërsinë më të madhe për të kapur banditët, të gjallë ose të vdekur.
Dy amerikanë të vrarë afër Tiranës nga banditët shqiptarë
Korrespondenti i “Chicago Tribune” shkruan nga Athina:
Sipas një shkrese të marrë nga autoriteti ushtarak grek i Epirit drejtuar ministrit grek të luftës, trupat e dy amerikanëve të vrarë nga banditët shqiptarë u gjetën një ditë më parë në zonat e pyllëzuara pranë qytetit të Tiranës.
Kjo vrasje e re, nëse konfirmohet, do të sjellë në katër numrin e viktimave amerikane nga banditët shqiptarë. Kujtojmë se dy amerikanë të tjerë të pasur u vranë në të njëjtin rajon pak javë më parë.
Sipas kësaj shkrese, njerëzit e vrarë një ditë më parë ishin turistë amerikanë të bashkangjitur suitës së z. Pierpont Morgan. Vrasja u krye nga një bandë prej pesëmbëdhjetë burrave që u ngritën kurth amerikanëve.
Ky krim i ri kundër shtetasve amerikanë ka shkaktuar zemërim në qarqet zyrtare shqiptare.
* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania