Nga Fatjona Mejdini
Distrikti i 10-të i Vjenës i ngjan një Ballkani të vogël, ku çdo ditë emigrantët serbë, turq, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë përplasën me njëri-tjetrin në kafenetë, restorantet dhe parqet e zonës.
E diela e zgjedhjeve të përgjithshme nuk ndryshon shumë nga ajo e çdo dite tjetër.
Në një restorant të vogël aziatik përballë stacionit të metrosë Keplerplatz në orën 16:00 tavolinat zihen dhe lirohen me shpejtësi.
Në një tavolinë diku nga mesi i restorantit qëndrojnë të ulur dy djem me nga një pjatë me noodles përpara. “Sot, duket se fiton Kurzi a?!”, — i drejtohet njëri shokut me dialekt të Kosovës. Ky i fundit tund kokën lehtë pa ngritur sytë nga pjata. Biseda mbyllet pa u nisur dhe të dy përtypen në heshtje duke e tretur shkujdesur vështrimin përtej xhamave.
Në restorant hyjnë dy djem të tjerë, të veshur me bluza të zeza dhe mbishkrimin e bardhë Srbije United, një skuadër amatore futbolli në Vjenë, e përbërë nga serbë. Ata ulen gati ngjitur me të parët dhe porosisin sushi, teksa nisnin një bisedë në serbisht.
Asnjë muskul nuk lëviz në fytyrat e djemve nga Kosova, asnjë koment në shqip nuk pason.
Në orën 16:40 sheshi Josefsplatz është i mbushur nga makinat e transmetimit të televizioneve të ndryshme. Ambientet e brendshme të Librarisë Kombëtare, që shërben për zgjedhjet si qendër për mediat, janë të mbushura nga stenda me logo mediash, gazetarë dhe teknikë.
Grimuesit nxitojnë t`i japin pudrosjen e fundit të parëve, në një kohë kur, pas 20 minutash, qendrat e votimit në të gjithë Austrinë do të mbyllen.
Në sallën kryesore të Librarisë qëndron një podium i zbrazët me mbishkrimin Ministria e Brendshme. Është pikërisht kjo ministri, e cila administron procesin zgjedhor në Austri, një praktikë kjo që konsiderohet e paimagjinueshme për Shqipërinë apo vendet e tjera të Ballkanit.
Zgjedhjet e reja të përgjithshme erdhën si pasojë e skandalit që përfshiu ish-zëvendëskancelarin austriak, Heinz-Christian Strache, ish-drejtues i Partisë së Lirisë (FPO). Në maj u bë publik një përgjim në Ibiza, ku Strache zotohej se do të jepte kontrata publike për një kompani ruse në shkëmbim të mbështetjes që kjo do t`i jepte përmes blerjes së mediave.
Qeveria e ish-kancelarit, Sebastian Kurz u shpërbë nga pesha e skandalit dhe një qeveri provizore çoi vendin në zgjedhje të reja.
Por, pavarësisht kësaj, 33-vjeçari Kurz shihej ende nga shumë austriakë si një lider reformues, energjik dhe që kishte ende për t`i dhënë vendit; për pasojë Partia Popullore (OVP) që ai drejton ishte favoritja kryesore në të gjitha sondazhet paraprake.
Sondazhi kryesor i mbrëmjes së zgjedhjeve ishte ai i realizuar nga një institut i pavarur në qendrat e votimit. Mediat nisën të publikonin të dhënat e tij në orën 17:10, vetëm pak minuta pas përfundimit të zgjedhjeve. Ashtu siç pritej, sondazhi i dha një fitore të qartë prej 37,2% të votave OVP-së së Kurz-it, me një rritje prej pothuaj 6% nga zgjedhjet e fundit.
Socialdemokratët (SPO) u renditën të dytët me 22%, ndërsa FPO pësoj një rënie prej 10% duke u përllogaritur të kishte vetëm 16% të votave. Të Gjelbrit shënuan, sipas sondazhit, një rritje prej 10,5% duke marrë 14,3% të elektoratit, ndërsa liberalët e NEOS 7,4%.
Libraria Kombëtare ndodhet në zemër të Vjenës dhe nga aty duhen vetëm pak metra për të mbërritur në sheshin e katedrales së famshme Stephansplatz. Pak minuta pas publikimit të sondazhit rruga që të çon aty është e tejmbushur dhe gumëzhin nga njerëzit.
Ata nuk janë militantë partie që kanë dalë të festojnë, por turistë të entuziazmuar që vijojnë të eksplorojnë. Asnjë flamur austriak apo partiak nuk valëvitet në ajër, asnjë radhë makinash me bori shurdhuese nuk është formuar; në tokë nuk ka grumbullime partiake, në qiell mungojnë fishekzjarrët.
Në orën 19:30 në dyert e Librarisë nisën të hyjnë njëri pas tjetrit gjashtë drejtuesit e partive politike që kishin kaluar pragun elektoral për të hyrë në parlament, nisur nga Kurz i OVP-së, Pamela Rendi-Wagner e SPO-së, lideri i ri i FPO-së, Norbert Hofer, Werner Kogler i të Gjelbërve, Beate Meinl-Reisinger e NEOS dhe Peter Pilz i JETZT.
Pasi u përshëndetën me njëri-tjetrin dhe duke formuar një skuadër, ata nisën të zinin vend në stendën e televizionit publik austriak për t’iu përgjigjur pyetjeve paszgjedhore.
Në panelin ku të gjashtë qëndronin në këmbë, gazetarja ishte protagonistja kryesore.
Të gjithë do t`i përgjigjeshin me radhë pyetjeve të saj që nisnin nga ato që ata kishin mësuar nga procesi zgjedhor, deri te mënyra sesi priteshin të formoheshin koalicionet paraprake.
Në panel nuk kishte asnjë replikë mes tyre dhe nuk u shfaq asnjë tension apo padurim.
Pas përfundimit të panelit të parë, të gjashtë krerët e partisë iu bindën pa hezitim kërkesës së gazetarëve për të pozuar të gjithë bashkë. Ata vijuan më pas deri në orën 2100 të ‘shëtisnin’ edhe në stendat e mediave të tjera, përsëri së bashku, përsëri pa asnjë replikë mes tyre.
Në orën 21:15 një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme doli në podium për të lexuar rezultatet e votimit, pasi ishte numëruar çdo votë që ishte hedhur të dielën në kutitë e votimit.
Katër orë nga mbyllja e kutive të votimit rezultati ishte arritur të përpunohej dhe Kurz-i kishte fituar me 38.4% të votave. Gjithsesi, rezultati përfundimtar do të bëhej publik vetëm të enjten, pasi të numëroheshin edhe votat e 1 milion austriakëve që kishin votuar me postë.
Në 21:19 komunikimi i ministrisë kishte përfunduar dhe pak minuta më pas teknikët e televizioneve filluan të mblidhnin nëpër stenda kabllot e transmetimit.
Zgjedhjet gjithashtu kishin përfunduar.
Partia e Sebastian Kurz kishte përgatitur për fitoren një festë private duke zgjedhur një restorant të madh në mesin e Standpark-ut. Qindra përfaqësues partie, mbështetës dhe miq ndërkombëtarë të OVP-së festuan aty, duke trokitur gotat, dëgjuar muzikë austriake folk dhe përshëndetur liderin e tyre.
Në orën 21:30 të së dielës qendra e Vjenës përsëri gumëzhinte, kësaj radhe nga operadashësit.
Përpara godinës së Operës radha e taksive ishte e gjatë, teksa dhjetëra spektatorë dilnin prej aty pas shfaqjes së fundit.