Bota Liam Payne, ylli i One Direction vdes në moshën 31-vjeçare

Liam Payne, ylli i One Direction vdes në moshën 31-vjeçare

Ylli i muzikës Pop, Liam Payne, nuk jeton më.

31-vjeçari, i cili u bë i famshëm si pjesë e grupit One Direction, humbi tragjikisht jetën pasi ra nga kati i tretë i hotelit në Buenos Aires të Argjentinës.

Momentalisht është e paqartë nëse Payne ra aksidentalisht, apo u hodh nga ballkoni i hotelit CasaSur Palermo.

Duke cituar mediat lokale, agjencia e lajmeve Reuters shkruan se pak para ngjarjes, policia kishte marrë raportime nga hoteli për një person “që po sillej në mënyrë agresive dhe që mund të ishte nën efektin e drogës apo alkoolit”.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00, me orën lokale. 31-vjeçari gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes.

Vdekja e Payne është pa dyshim një lajm tronditës për fansat e shumtë të One Direction, që për një periudhë kohe ishin banda më e famshme muzikore e Pop-it në botë.

Grupi britanik One Direction mori famë pas pjesëmarrjes në X Factor, në 2010-n. Ata patën disa hite botërore derisa u ndanë në 2016-n.

Besohet se Payne ndodhej në Argjentinë për pushime me të dashurën e tij Kate Cassidy.