Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli u takua në Berlin me homologun gjerman Heiko Maas. Në fokus të bisedimeve ishte çështja e liberalizimit të vizave dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha në konferencën e shtypit, pas takimit me homologun kosovar, Behgjet Pacolli, se e mbështet liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe premtoi, se do të angazhohet si tek qeveria e tij ashtu edhe tek partnerët evropianë që ta miratojnë rekomandimin e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
“Premtimet e dhëna duhen mbajtur”, tha Maas. “E shohim se procesi i reformave në Kosovë vazhdon me vendosmëri.” E megjithatë ka shumë për të bërë, shtoi ai, duke dhënë si shembull luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pacolli tha se pret që, sikurse është premtuar, të vihet në jetë liberalizimi i vizave.
Socialdemokrati Maas nuk flet ende zyrtarisht në emër të qeverisë, sepse për këtë do të duhet edhe qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që drejtohet nga politikani i partisë konservatore bavareze CSU, Horst Seehofer. DW po pret tani reagimin e kësaj ministrie.
Siç kishte paralajmëruar më parë nëpërmjet deklaratës për media, ministri Jashtëm i Kosovës ka cekur në takim edhe çështjen e njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjetit (patenta e shoferit). Maas tregoi mirëkuptim për këtë çështje që zakonisht nuk është objekt bisedash mes krerëve të diplomacisë dhe premtoi se do të interesohej te ministria përgjegjëse, Ministria e Qarkullimit dhe Infrastrukturës.
Eshtë hera e parë që Pacolli, në detyrën e tij si ministër i punëve të jashtme takohet zyrtarisht me homologun e tij gjerman, Heiko Maas. Ai shfrytëzoi rastin për këtë takim për të falënderuar Gjermaninë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe për të nxitur biznesin gjerman që të jetë më aktiv në Kosovë. Tek e fundit, siç tha Pacolli, Kosova ka pasur një rritje prej 4,5 për qind.
Pacolli mori në mbrojtje masat doganore ndaj Serbisë dhe tha, me rastin e zgjedhjes së Grupit Negociator që do të përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë, se marrëveshja që duhet të dalë prej andej është njohja e shtetit të Kosovës.