Lideri i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis, brenda 24 orëve në intervistat e tij në dy kanale televizive private, i është referuar midis të tjerash ne programin e tij parazgjedhor, edhe marrëdhënieve me Shqipërinë si një nga pikat kryesore të politikes së Jashtme që ai do zbatojë pas zgjedhjeve të 7 korrikut, për të cilat beson se do t’i fitojë me diferencë të madhe nga partia qeveritare Syriza.
“Dua ta them edhe tek ky emision dhe ta dëgjojnë mirë edhe në Tiranë se ecuria europiane e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë të ardhme nëse Shqipëria nuk respekton me vepra të drejtat e minoritetit kombëtar grek”, tha Kyriakos Mitsotakis lideri i Demokracisë së Re.
Një ditë më parë Mitsotakis i kishte çuar mesazh Tiranës duke paralajmëruar edhe për sanksione në rrugën e saj europiane dhe marrëdhëniet bilaterale.
“Mesazhi që kam çuar tek qeveria shqiptare është tepër i qartë, do të ketë sanksione dhe pasoja ne se nuk respektohen të drejtat e minoritetit kombëtar grek dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por edhe me marrëdhëniet dypalëshe. Z. Rama duhet të kuptojë se në se kërkon marrëdhënie të mira duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek”, tha Kyriakos Mitsotakis lideri i Demokracisë së Re.
Ndërsa nga ana tjetër ministri i Jashtëm grek Georgios Katrougkalos në një intervistë për shtypin e fundjavës me gazetën pro-qeveritare AVGI i pyetur për krizën politike në Shqipëri deklaron: :Monitorojmë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe të vlerësojmë situatën siç ajo zhvillohet. Besojmë se të gjitha forcat politike duhet të investojnë në një dialog të sinqertë për të rivendosur normalitetin. Ne, nga ana jonë, jemi duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të mbështetur procesin e anëtarësimit në BE nën kushtet që vlejnë për çdo vend kandidat, pra përmbushja e predispozitave dhe detyrimeve që rrjedhin nga e Drejta Europiane”.
Katrougkalos shpjegon gjithashtu se megjithëse Berlini ka ngrirë deri në vjeshtë hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin, ai vetë beson se çdo gjë është e mundur dhe ka përsëritur se Shqipëria duhet të kuptoje që problemet që përballon minoriteti grek dhe respekti i të drejtave të tij janë kushtet kryesore që lidhen me ecurinë europiane të vendit.