Grupe parlamentare të Maqedonisë së Veriut, janë takuar të enjten me delegacionin e Komisionit të Venecias, në lidhje me përdorimi i gjuhës shqipe në vend, nëntë muaj pas miratimit të ligjit .
Delegacioni i Komisionit ka dëgjuar qëndrimet dhe vërejtjet në Kuvend për ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ligji u miratua pa votat e partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, përfaqësuesit e së cilës mbrojnë se ka probleme në lidhje me kushtetueshmërinë e ligjit, i cili, sipas tyre, ka shkeluar edhe procedurën.
Sipas përfaqësuesve të partisë në pushtet, BDI, konsultimi, i sotëm me delegacionin e Komisionit të Venecias nuk ka të bëjë me ligjin në tërësi, por me nenin 8 të ligjit, i cili përcakton që në dygjuhësi të përfshihen edhe banknotat edhe monedhat dhe mjetet të tjera pagesore, si dhe uniformat ushtarake, policore, të zjarrfikësve dhe uniformat tjera zyrtare në vend.
Ligji për gjuhët zyrtarisht u shpall pa dekretin e ish presidentit të shtetit, sepse Gjorge Ivanov vlerësoi se ai e rrezikon karakterin unitar të shtetit dhe të Kushtetutës. Kritika ka pasur edhe nga linguistët maqedonas të cilët kanë thënë se ky ligj i del kunder Marrëveshjes së Ohrit. Por nga ana tjetër akademikët nga AMSHA vlerësuan se me ligjin për avancimin e statusit të gjuhës shqipe zgjerohet përdorimi i saj dhe mbyllet një nga çështjet e hapura e cila per dekada ishte burim i tensioneve ndëretnike.