Pas vizitës 2 ditore për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta, një tjetër delegacion i Komisionit të Venecias do të mbërrijë në Tiranë nga 18 deri më 19 shtator 2019.
Kësaj here Komisoni i Venecias do të jetë në kryeqytet si pjesë e hartimit të një opinioni për ligjin e Pasurive të Palujtshme. Ekspertët e Komisionit të Venecias do të rikthehen të enjten në Tiranë, megjithatë edhe më parë Ligji “Për Trajtimin e Pronës” është vlerësuar në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga Komisioni i Venecias.
Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese i kërkoi mendim Komisionit pas ankimit pranë kësaj gjykate nga shoqatat e pronarëve. Shoqatat e Pronarëve kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pronat me pretendimin se bie ndesh me Kushtetutën dhe me Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut. Por nga ana e tyre Komisioni i Venecias ka argumentuar se ligji për trajtimin e pronave është në përputhje me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërkohë në agjendën e delegacionit thuhet se do të takohen me deputetë, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, të Brendshme, të Financave dhe Ekonomisë, të Punëve të Jashtme, por edhe me Avokatin e Popullit dhe Avokatin e Shtetit, si edhe me përfaqësues të sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe të komunitetit ndërkombëtar.
Drafti është në rendin e ditës për seancën plenare të Komisionit në Tetor 2019. Përgatitja e këtij projekt-opinioni financohet përmes kornizës së “Për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, një program i përbashkët i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.