Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë detaje të asaj çfarë do të përmbajë ligji i ri i Policisë së Shtetit. Në një prononcim për mediat pas një takimi me donatorët, ministri Balla është shprehur me këtë ligj të ri, do u jepet përparësi punonjësve të rinj në strukturat e Policisë së Shtetit për rritje në karrierë në bazë të meritës.
Gjithashtu, Balla ka thënë se me ligjin e ri, edhe krerët e drejtorive vendore të policisë do të kenë një mandat të caktuar kohor në krye të detyrës së tyre.
Taulant Balla: Reflektim mbi të gjitha nevojat që ka një proces reformimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, erdhi dhe momenti për të bërë një ligj të ri për Policinë e Shtetit, i cili të garantojë një sistem karriere brenda Policisë së Shtetit që të ndërlidhet drejtpërsëdrejti me rezultatet në punën e secilit prej punonjësve. Kemi propozuar një reduktim të numrit të gradave brenda të gjithë nivelit të strukturës dhe gradave në polici me qëllim që t’i japim më shumë mundësi të rinjve të bëjnë përpara në karrierën e tyre deri në nivelet më të larta të policisë, pa harruar që gjithmonë fokusi i im mbetet pjesa e trajtimit të duhur financiar dhe vlerësimit të punës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ka edhe një moment tjetër që lidhet me një ndarje përfundimtare, ose të bllokimit të çdo lloj ndërhyrje sa i përket procesit të emërimeve brenda Policisë së Shtetit. Kemi krijuar disa struktura të reja që ndihmojnë drejtorin e përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Kemi futur dhe konceptin e mandatit. Pra, jo vetëm drejtori i përgjithshëm apo zv.drejtori i përgjithshëm ka një mandat të caktuar kohor, por edhe drejtorët e drejtorive vendore të policisë kanë dhe ata një mandat, i cili ndërlidhet me performancën. Duam të garantojmë drejtues të policisë në nivel vendor që të jenë të fortë në atë mandat që kanë për të garantuar luftë më efikase kundër krimit. Ligji i ri do të përputhet me pritshmëritë tona për të thelluar progresin e arritur deri më tani në këtë revansh në luftën lundër krimit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Balla ka folur më me hollësi në lidhje me funksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.
Taulant Balla: Zyra e Rikuperimit të Aseteve, një instrument i rëndësishëm që do të gjurmojë pasuritë e fshehura nga aktivitetet kriminale dhe korrupsioni. Ne e kemi vendosur si një prej objektivave tonë të rëndësishëm. Është diçka që i kishte munguar Policisë së Shtetit sa i takon pjesës kundër krimit të organizuar. Parimi “ndiq paratë”, i suksesshëm në të gjitha format e krimit. Na duhet një punë hetimore efikase për të identifikuar, gjetur dhe konfiskuar asete, llogari bankare apo gjithçka tjetër që krimi ka krijuar. Edhe BE, dhe të gjithë partnerët e tjerë e kanë mbështetur, presim nga Komisioni Evropian leximin e fundit të drafit e më pas ta kalojmë në qeveri ku shpresojmë të kemi dhe mbështetjen e opozitës sa i takon luftën kundër krimit të organizuar. Po punojmë me Gjermaninë për të pasur një sistem të ri komunikimi, të kemi një aplikacion tonë komunikimi që të monitorojë komunikimin brenda Policisë së Shtetit.