Ligji i ri Policisë do t’i hapë rrugë rekrutimit të ushtarakëve në radhët e uniformave blu. Nismës së qeverisë e paraqitur në Kuvend i është ndryshuar pjesa më e madhe e neneve, por që ajo që kërkonte ministri Sandër Lleshaj për të marrë pjesë në organikën e policëve dhe ish-ushtarakë, është plotësuar me disa ndryshime. Një tjetër kusht i pranuar është i rekrutimit deri në 3 për qind nga jashtë policisë për funksione specifike, të cilat nuk përfitohen në Akademinë e Sigurisë. Këto pranime mund të jenë nga radhët e civilëve dhe/ose ushtarakëve, sipas nevojave, duke mos e kaluar limitin 3%.
Tema më e debatueshme ka qenë pikërisht mënyra e rekrutimit të pjesës ushtarake në Policinë e Shtetit. Ministria e Brendshme e argumentoi me faktin se kjo nismë bëhet në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si prioritete kyçe të Policisë së Shtetit; ndaj dhe për këtë është vlerësuar i nevojshëm pranimi edhe nga Forcat e Armatosura. Në këtë rast, është parashikuar edhe ekuivalentimi i gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një tjetër arsye lidhet me faktin se në Policinë e Shtetit mungojnë policët që kanë grada dhe kjo për ministrinë shihet si tejet shqetësuese. Në raportin final të paraqitur për votim në Komisionin e Sigurisë që si relator ka pasur deputetin socialist, Pjerin Ndreu, bëhet e ditur se ministri Lleshaj si arsye të parë për ndryshimin e ligjit ka renditur mosfunksionimin e Akademisë së Sigurisë, ose Akademisë së Policisë, për një periudhë shumë të gjatë. Akademia e Sigurisë u rihap në vitin 2015 pas një periudhe 10-vjeçare mosfunksionimi. Si pasojë e kësaj, Policisë së Shtetit i mungojnë sot një numër i konsiderueshëm oficerësh, kryesisht në nivelin “nënkomisar” që nënkupton nivelin bazë të oficerëve të Policisë së Shtetit, por edhe në të gjithë hierarkinë e gradave të kësaj organizate.
“Në të gjitha kategoritë e gradave ka një mangësi që shkon tek një mesatare rreth 30%, gjë që paraqet një problem shumë serioz. Në nivelin e drejtuesit të lartë janë mangët 46% e gradave, në nivelin drejtues janë mangët 30% e gradave, në nivelin kryekomisar janë mangët 36%, në nivelin komisar janë minus 38%, në nivelin nënkomisar janë minus 28%. Për t’u fokusuar vetëm tek niveli bazë, tek nënkomisarët; nga 1482 nënkomisarë që duhet të ketë Policia e Shtetit sot, ajo ka vetëm 1167 ose 25% minus”, thuhet më tej në raportin paraqitur Komisionit të Sigurisë, e siguruar nga Gazeta “Si”. Për të plotësuar këtë boshllëk, është formuluar edhe neni ku shkruhet se “..për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë, shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 të nenit 38. Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore “Nënkomisar”.
Ushtarakët, njehsimi i gradave dhe pranimi
Një ndër temat më të debatueshme për këtë draft ka qenë përfshirja e ushtarakëve në forcat e policisë, duke e cilësuar si një shkelje me ligjin dhe Kushtetutën. Ky sanksionim i tillë ka hasur në kundërshtimin e socialistëve, por edhe të shoqatave të policëve. “Për vetë rëndësinë që paraqet kjo kategori, Kushtetuta ka parashikuar se ushtarakët e shërbimit aktiv, nuk mund të zgjidhen ose emërohen në asnjë detyrë tjetër shtetërore (neni 167/1), siç do të ishte rasti i rekrutimit në Policinë e Shtetit. Pra ushtaraku pjesë e kësaj kategorie, pikërisht për shkak të këtij parashikimi kushtetues, nuk mund të përfshihet në struktura të tjera shtetërore, që nuk janë ushtarake, përveçse nëse resht së qeni i tillë; dhe nga ushtarak aktiv bëhet ushtarak në lirim ose në rezervë nga Forcat e Armatosura”, thuhet në relacionin përkatës.
Për këtë, kontestim ka pasur edhe nga Sindikata e Policisë, e cila ka paraqitur kërkesën për rishikimin e nenit 7 të draftit.
Pas këtyre përplasjeve, është vendosur që pranimi të realizohet mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen kandidatët. Pranimi bëhet vetëm pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. Në këtë rast, njihet vjetërsia e shërbimit dhe bëhet ekuivalentimi i gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kreu i Sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta shprehet se me ndryshimet e reja “ka ndryshuar pika e marrjes në Akademinë e Rendit, janë marrë përpara punonjës policie që kanë 5 vjet punë dhe që kanë mbaruar kursin dyjavor bazë për patrullë të përgjithshme”.
“Tani, për nevojat e policisë merren me konkurs, por me notë mesatare të lartë, specialistë të fushave të ndryshme. Me përpara nuk kanë pasur të drejtë që të pranohem njerëz të tjerë, tani futen edhe persona nga ushtria që do të kalojë praktikën dhe testimet 22 javore”, thotë Fishta në një prononcim për “Si”.
Ai thekson se “nuk mund të konvertohet grada e ushtarakëve me atë të policisë, sepse duhet të ketë vjetërsinë në punë në polici dhe qëndrim në një gradë siç e ka ligji bazë”.
Në nenin e riformuluar është vendosur se nuk do të pranohen ushtarakë që nuk janë liruar më parë dhe se pranimi i tyre në Policinë e Shtetit do të realizohet me një marrëveshje mes Ministrit të Mbrojtës dhe Ministrit të Brendshëm. “Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit, realizohet duke njohur vjetërsinë e shërbimit. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit”, thuhet në nenin e këtij ligji të miratuar në Parlament me 75 vota pro dhe 1 abstenim.