Aktualitet Linda Rama, kontribut vullnetar pranë shtabit të Emergjencave në Durrës

Linda Rama, kontribut vullnetar pranë shtabit të Emergjencave në Durrës

Bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama i është bashkuar punës për menaxhimin e situatës pas tërmetit në qytetin e Durrësit.

Ajo ka kaluar ditën e djeshme në shtabin e emergjencës së qytetit të Durrësit duke ndihmuar drejtuesit dhe punonjësit e operacioneve të ndihmës së qytetarëve të prekur nga tërmetet e 3 ditëve të fundit.

Modeste dhe e thjeshtë, zonja Rama nuk ka dashur të jetë në qendër të objektivit të kamerave, madje ka zgjedhur mënyrën për të mos u dukur fare në ndihmesën kundrejt familjeve të prekura nga tërmeti.

“Kam dëshirë që kamerat e juaja të jenë tek njerëzit. Nuk e mendova që kishte një kamera dhe nuk do të doja të kisha asnjë lloj protagonizmi por vetëm njerëzit e dinë ku janë nevojat shumë mirë, vetëm njerëzit janë ata që janë gjykatësit më të mirë i të gjithë kontributeve që aktorë të ndryshëm që nga shteti shqiptar, të huaj, të gjithë sëbashku japin për të kaluar këtë moment shumë të vështirë”, – u shpreh ajo.

Zonja Rama thotë se ajo si çdo qytetar ka zgjedhur mënyrën e vet për të ndihmuar.

“Thjesht, çdo qytetarë në mënyrën e vet është përpjekur që të gjej veten në gjithë këtë fatkeqësi të madhe dhe detyrim të madh dhe unë u përpoqa të gjej një hapësirë timen, këtu është shtabi i emergjencës së Durrësit dhe me aq ekspertize sa kam mbase isha e vlefshme kjo ishte edhe arsyeja që ndenja disa orë së bashku me të tjerë vullnetarë”,-u shpreh ajo.

Për Linda Ramën ky solidaritet i treguar nga shqiptarët dhe bashkëjetesa fetare janë vlerat më të mëdha që e dallojnë kombin shqiptar.

“Shqiptarëve nuk u ka munguar asnjëherë solidariteti për njëri tjetrit dhe është një nga vlerat e mëdha që kemi duhet ta trashëgojmë në brezat e tjerë dhe besoj që në raste fatkeqësisht ne jem gjithmonë bashkë. Mendoj që ajo që na mbetet është që tu urojmë më të mirën njerëzve dhe si në këto raste edhe në raste gëzimi të jemi solidar njëlloj për njëri tjetrin”, -tha zonja Rama.