Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Gjykata e Posaçme ka liruar nga paraburgimi Dakon, duke i vendosur masën e arrestit në shtëpi.
Shkak i lirimit është kalimi i afatit 6-mujor të paraburgimit.
Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.
Dy javë më parë, gjyqtarja e hetimit paraprak i kërkoi Prokurorisë që deri në datën 27 shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.
Prokuroria pretendon se ata kanë përllogaritur gabim fondin limit duke e shumëfishuar atë dhe pasi kanë rënë në dijeni të këtij fakti, nuk e kanë rregulluar gabimin.
Por për gjykatën, hetimi është i paplotë pa përcaktuar gjendjen aktuale të investimit dhe dëmin aktual.
Sot që ishte caktuar seanca, kjo e fundit u shty për në datë 18 mars ora 13:00 për shkak të mungesës së akt-ekspertimit topografik që kishte kërkuar gjykata nga prokuroria.
Vangjush Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK.