Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, la ambientet e paraburgimit në orët e para të kësaj të mërkure, pasi u pyet gjatë në kuadër të hetimeve për korrupsion për dhënien e të drejtës së organizimit të Botërorit 2022 Katarit.
Platini u shpreh se e priste të merrej në pyetje si dëshmitar, sikurse ndodhi 18 muaj më parë, por jo të mbahej pas hekurave.
“Më lëndon. Më dhemb gjithçka arrij të mendoj, për gjithçka kam bërë. Më lëndon, më lëndon. Por, pavarësisht gjithçkaje, bënë detyrën e tyre, ndërsa unë iu përgjigja të gjitha pyetjeve. Shumë zhurmë për asgjë. S’e kuptoj përfshirjen time në këtë histori”, tha Platini.
Ish-mesfushori i Francës dhe i Juventusit shpjegoi se hetuesit e kanë pyetur për disa turne, për Euro 2016, për “Rusi 2018” dhe “Katar 2022”. Platini ka ndikuar në vendimin se kujt i duhet dhënë organizimi i këtyre eventeve madhore të futbollit në cilësinë e presidentit të UEFA-s dhe të zëvendëspresidentit të FIFA-s.
Hetuesit e kanë pyetur edhe për procesin e blerjes së PSG-së nga investitorët nga Katari në vitin 2011.
Mësohet gjithashtu se hetuesit kanë qenë shumë të interesuar për të pësuar detajet rreth një dreke të Platinisë në vitin 2010 me presidentin e kohës Nicolas Sarkozy, emirin e Katarit dhe ministrin e jashtëm para se merrej vendimi për vendin që do të organizonte Botërorin 2022.
William Bourdon, avokat i Michel Platinisë, ka deklaruar se klienti i tij ishte i pafajshëm nga të gjitha akuzat dhe marrje në pyetje ishte bërë për “motive teknike”.