Shqipëria dhe Franca, që bëjnë pjesë në Grupin H të kualifikueseve të Euro 2020, ndeshen mes tyre më 7 shtator, në stadiumin “Stade de Francë”. Trajneri i “Gjelave”, Didier Deshamp, ka publikuar sot listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen me kuqezinjtë dhe atë ndaj Andorrës.
Në listën e Francës mungon ylli i skuadrës, sulmuesi Kilian Mbape, i cili ka pësuar një dëmtim ditët e fundit me PSG-në dhe duhet të qëndrojë rreth një muaj larg fushave. Në listën e Francës ka edhe mungesa të tjera të rëndësishme, ndoshta ngaqë dy ndeshjet e radhës duken më të lehta në letër. Përveç Mbape, trajneri Deshamp ka lënë jashtë liste mbrojtësin e Barcelonës, Umtiti, mesfushorin e Çelsit, Ngolo Kante dhe sulmuesin e Arsenalit, Aleksandër Lakazet. Franca, që kryeson grupin tonë kualifikues, me 9 pikë, po aq sa kanë edhe Turqia dhe Islanda, ka të tjerë yje në ekip, si mesfushori i Mançester Junajtid, Pol Pogba, por edhe sulmuesi i Barcelonës, Antuan Grizman.Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, italiani Edi Reja, nuk e ka publikuar ende listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet me Francën dhe Islandën. Migjen Basha e ka zyrtarizuar tashmë largimin nga Kombëtarja dhe në vend të tij do të thirret mesfushori i Pderbornit, Klaus Gjasula. Jashtë liste pritet të jetë sulmuesi Eros Grezda. Kuqezinjtë kanë 6 pikë në grup, pas 2 humbjesh dhe 2 fitoresh.