Hartimi i listave të zgjedhësve në Shqipëri, një proces që është i ndërvarur nga bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme Gjendjes Civile) dhe KQZ-së ka qenë një proces që përherë është parë me dyshime dhe me mosbesim nga partitë e opozitës. Shumë vite më parë, hartimi i listave të zgjedhësve ka qenë objekt i akuzave të manipulimeve për zgjedhjet.
Për të shmangur këto përplasje, është parashikuar që listat e zgjedhësve të pastrohen nga dublimet, nga pasja e njerëzve që nuk jetojnë më, apo personat me moshë mbi 100 vjeç, deri në hartimin e listës përfundimtare. Për të ndjekur këtë proces KQZ-ja cakton dy auditues, një përfaqësues nga PS dhe një PD, të cilët raportojnë në mënyrë periodike mbi mënyrën se si po ecën procesi i hartimit të listës paraprake.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, u paraqitën dy raportet nga audituesit e dy partive, Lorenc Bako dhe Zamir Hoxha.
Që të dy audituesit në raportin e tyre ngrejnë shqetësim është mos vendosjen e saktë të adresës së zgjedhësve. Kështu në ekstraktin e datës 4 dhjetor 2018 rezultuan 284,065 zgjedhës me kod 000,888 dhe 999. Ndërsa në ekstraktin e datës 3 janar 2019 rezultuan 217,961 zgjedhës me kod 000,888 dhe 999. Në bazë të kësaj përllogaritje rezulton se ka një lëvizje prej 66,104 votuesish.
“Duhet të kihet parasysh që ky ka qenë një prej problemeve të vërejtura në zgjedhjet e 2015 dhe të vitit 2017 ku këto shifra përkatësisht kanë qenë 300,506 dhe 290,038 zgjedhës”, thuhet në raportin e audituesit Bako.
Por audituesi Hoxha, përfaqësuesi i PD-së, shprehet më tej se nuk është informuar sa duhet në lidhje me procesin e pastrimit të listave.
“Është e paqartë pse projekti, i konsideruar i sukseshëm, parashikonte që të hiqte nga lista zgjedhore kodin 999 nuk ka dhënë efektin e duhur dhe a janë përdorur këto të dhëna për të saktësuar të dhënat RKA”, shprehet audituesi në raportin e tij.
Ndërsa theksohet gjithashtu se nuk është zbatuar neni 52 të Kodit Zgjedhor për “Njoftimin me shkrim të zgjedhësit” për të verifikuar nëse janë në listë. Hartimi i listës së zgjedhësve ka qenë edhe objekt i raportit më të fundit të raportit të OSBE-së dhe ODHIR-it.
“Regjistrimi i zgjedhësve bëhet sipas sistemit pasiv. Kufizimet në regjistrimin e zgjedhësve që lidhen me moshën dhe paaftësinë mendore janë në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet ndërkombëtare. Shpallja e vonuar e listave përfundimtare të zgjedhësve dhe njoftimi në mënyrë jo konsistent i zgjedhësve, kufizuan verifikimin publik të listave të zgjedhësve. Bashkëbiseduesit e MVZ-së së OSBE/ODIHR-it nuk ngritën çështje domethënëse lidhur me saktësinë e listave të zgjedhësve, me përjashtim të pengesave të hasura nga komuniteti Rom. Megjithatë, problemet e kahershme të të dhënave të shumëfishta dhe kodeve të pasakta të adresave në listat e zgjedhësve mbeten një shqetësim”, thuhet në raportin më të fundit të OSBE-së mbi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017.
Një tjetër shqetësim që ngrihet nga audituesit janë edhe ngritja e Qendrave të Votimit pa pasur plotësuar kriterin ligjore jo më shumë se 1000 zgjedhës, ose më më pak se 20-200 zgjedhës. Numri i ekstraktëve me mbi 1 mijë zgjedhës është l49 QV, ndërsa numri i ekstraktëve votimit me zgjedhës nën 20 votues ka në 291 Qendra Votimi. Ndërsa nga 20-200 QV janë 38 gjithsej aktualisht. Neni 51 i Kodit Zgjedhor përcakton se “kur ekstrakti i një zone qendre votimi ka një numër zgjedhësish më të vogël se 200, Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nuk lejon hartimin e ekstraktit për zonën e qendrës së votimit”.