Opinione Sfida e 16 shkurtit?!…Jo, e 17 shkurtit!

Sfida e 16 shkurtit?!…Jo, e 17 shkurtit!

Nga Skënder Minxhozi

E ka shprehur mirë Kreshnik Spahiu para pak orësh, atë që pritet të jetë dilema e madhe e protestës së 16 shkurtit: dihet ç’do ndodhë atë ditë, por s’dihet se çfarë do të bëjë opozita një ditë më pas, kur protesta të ketë mbaruar. Pritshmëritë rreth protestës së rradhës të PD-LSI kanë ditë që maisen dhe bashkë me to marrin formë gjithfarë hipotezash, thashethemesh, idesh dhe skemash herë djallëzore, herë naive e herë të tjera thjesht fantapolitike. Do marrin Kryeministrinë, do futet në lojë Meta e do shpallin qeverinë e re, do ketë dhunë, s’do ndodhë asgjë, do rrethojnë Ramën si studentët, do vijnë nga rrethet e do ikin siç kanë bërë gjithmonë, do ketë vërshim njerëzish pas protestave të dhjetorit dhe Unazës së Re…

Të gjithë kanë nga një ide për datën 16 shkurt, askush nuk thotë se ç’do të ndodhë pas 16 shkurtit. Hipotezat e mësipërme, sado logjike ose të çmendura, janë një karburant jo i keq për ata që përgatiten të protestojnë, por nuk është e thënë të jenë edhe një bazë e mirë për një realitet të ri politik pas datës së mësipërme.

Protesta e 16 shkurtit vjen pas një dimri tipik shqiptar, gri, depresiv dhe të keq për qeverinë. Kështu ka qenë e mesa duket kështu do të jetë edhe më tej. Pasi hezitoi të rinovojë qeverinë në piskun e vapës, Rama u detyrua të ndërrojë më shumë se gjysmën e kabinetit në prag të Vitit të Ri, për shkak të protestave masive të studentëve dhe si pasojë e disa skandaleve që përfshinë eneergjinë dhe punët publike.

Largimi nga kabineti i të gjithë ministrave më me peshë (më parë ishte ndërruar edhe ministri i brendshëm) i dha vendit një qeveri praktikisht të re, plot fytyra të panjohura dhe larg jetës aktive politike. Është e saktë të thuhet se edhe protesta e 16 shkurtit ka qenë në planet e kryeministrit, kur ka hedhur këtë hap, megjithëse data e saj nuk njihej ende në dhjetor. Pasi ja arriti të shuajë (qoftë dhe përkohësisht) protestën studentore dhe të relativizojë mllefin e banorëve të Unazës së Re, kreu i shumicës duket se e pret i qetë produktin e protestës opozitare. Të paktën në sjelljen e tij publike.

Në ditët e fundit ai Rama ka atakuar në mënyrë selektive Berishën, duke vijuar të qesëndisë Bashën dhe Kryemadhin. Një kalkulim i paramenduar ky, për të përzgjedhur mes kundërshtarëve pikërisht fytyrën më të konsumuar dhe më pak të preferuar nga publiku gri dhe nga baza e majtë e votuesve. Sharjet banale me Berishën në parlament nuk janë thjesht një degradim i kërkuar i dy personave me pushtet dhe mikrofon në dorë. Janë edhe të tilla padyshim, por më së pari janë paradhoma e përballjes së 16 shkurtit. Dhe si Rama, ashtu dhe Berisha, ishin në lojën e tyre: i pari, për t’i thënë shqiptarit të thjeshtë “ja ç’të pret po i vajte pas opozitës”, kurse i dyti për të vënë në lëvizje bazën e fjetur blu, në prag të takimit të 16 shkurtit.

Tashmë protesta mund të quhet e konsumuar pjesërisht, nga momenti që opozita ka organizuar dhjetra takime e grumbullime të vogla simpatizantësh, për të mbledhur pjesëmarrës për 16 shkurtin. Është e habitshme që të duhet një muaj fushatë për të organizuar një event disaorësh në Tiranë (studentët u mblodhën me një sms tek rruga e Durrësit). Kjo tregon dobësinë reale të opozitës, por ky nuk është megjithatë problemi më i madh që ka sot Basha, Kryemadhi e Berisha. Protesta do të krijojë një inerci pozitive për opozitën, e kjo nuk do shumë mund për t’u kuptuar. Çeshtja është sesi kjo inerci dhe ky zgjim i një pjese të popullit opozitar do të përdoret një ditë më pas (nëse Basha nuk tundohet edhe një herë të ngulë me ditë të tëra çadrat në bulevard).

Sfida e opozitës është sesi do të mundë që me anë të mijëra njerëzve të mbledhur para zyrës së Edi Ramës, të avancojë axhendën e saj për largim të kryeministrit dhe qeveri teknike, apo edhe për rrëzimin e disa politikave financiare të qeverisjes së sotme. Asnjëri prej liderëve politikë të mësipërm duket se nuk e ka të qartë sesi kjo do të ndodhë kur protesta të ketë fikur prozhektorët. Të gjithë presin se çfarë do të ndodhë, megjithëse vetë protesta, në të gjitha format e saj të imagjinueshme, është një film i parë kushedi sa herë në mes të Tiranës. Duhet një projekt politik perspektiv dhe i qartë, që të shfrytëzojë energjinë që do të krijojë protesta dhe pikërisht një i tillë duket se mungon në selitë e partive opozitare.