Aktualitet Lleshaj nga Malësia e Madhe: Të gjendet denoncuesi

Lleshaj nga Malësia e Madhe: Të gjendet denoncuesi

Pas skandalit të publikuar një ditë më parë në media, ku efektivi i policisë së zonës Gruemirë, Berhan Bajrakurti ngacmonte seksualisht një 15-vjeçare duke i dërguar asaj video intime, ministri Lleshaj ka vizituar sot Malësinë e Madhe.

Për rastin në fjalë, Lleshaj nga Malësia e Madhe u shpreh se që prej mbrëmjes së djeshme janë duke kërkuar denoncuesin e videos ku shfaqet polici Berhan Bajrakurti, pasi nuk dihet kush është personi që ka bërë denoncimin për policin.

“Policia e Shtetit po kërkon që mbrëmë denoncuesin që nuk gjendet. Kjo është pyetja kryesore që duhet të keni ju dhe ne bashkë, kush është denoncuesi?”, shprehet Lleshaj në një prononcim për mediat.

Ndër të tjera, ministri i Brendshëm tha nga Shkodra se krimi në këtë vend duhet të dëbohet me çdo çmim.

“Shkodra është një vend i kulturës, i cili nuk bashkëjeton dhe nuk mund të bashkëjetojë me krimin. Krimi duhet të dëbohet nga Shkodra me çdo çmim, me çdo sakrificë dhe përpjekje.

Ju garantoj të gjithëve se angazhimi i Ministrisë së Brendshme, i imi personal, i Policisë së Shtetit do të jetë maksimal. Për të bërë atë që duhet të kemi të qartë, ku Shkodra të jetë një vend ku mbizotëron qetësia, kultura dhe ato tipare që e kanë karakterizuar këtë qytet emblemë të Shqipërisë”, është shprehur ministri Lleshaj.