Nga Xhovani Shyti
Partia e Ilir Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vetmja parti që qysh prej themelimit e deri më sot ka qenë përfituesja e vetme e të mirave të rrjedhura nga zotërimi i pjesëve të pushtetit. Ajo kur nuk e ka provuar qënien në opozitë. Kjo falë strategjisë së lidërshipit të saj që përmblidhet në formulën dyzetë e pesë muaj në qeverisje dhe tre muajt e fundit në opozitë. Fjala është për pozicionimin e LSI në tre muajt e fundit para përfundimit të mandatit qeverisës të mazhorancave me të cilat ajo ka qenë në koalicion.
Sapo orët elektorale nis ti xhirrojnë akrepat pas, LSI fillon të numëroj orët e mbrapshta të bashkëqeverisësit, duke artikuluar opozitarizmin brenda mazhorancës për ti mbushur mëndjen elektoratit se qëndrimi i saj si pjesë e qeverisjes ka qenë përherë parimor. Këtë bëri kur ishte në koalicion me Partinë Demokratike të Sali Berishës dhe po me të njejtën mënyrë ka nisur të sillet edhe me Partinë e Rilindjes së Edi Ramës, të cilës, kur sapo ka nisur viti elektoral 2017 ,ka nisur ti këndojë këngën e mbrapshtë. Herë nëpërmjet zvendësit të parë të Ilir Metës, gjeneralit pa yje, e të graduar çuditshëm ministër Drejtësie, ku është veç mjek, Petrit Vasili, e herë nëpërmjet ministrit sakaq të shkarkuar “anti Rama” Ylli Manjani. Por edhe duke mos ngurruar të shprehet kundër në grup për një serë problemesh, ku më të fundit janë pesë rekomandimit për Kodin zgjedhor adresuar bashkëqeverisëses PS, në fillimjanarin e vitit 2017.
Në tetorin e vitit 2016 ishte ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, që papritur e pakujtuar hodhi publikisht idenë e nxjerrjes së Forcave të Armatosura të ushtrisë për të luftuar fenomenin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit. Përveçse sulm pas shpine ndaj PS-së, prijëses së koalicionit të majtë qeverisës, ndër segmente potenciale të drejtimit të kësaj partie, deklarimi i LSI-stit Manjani, ndezi debate të tilla inatçore që natyrshëm ngrinin pyetjen: PS-LSI janë në bashkëqeverisje apo në opozicion. Domethenë partia e Edi Ramës në qeverisje dhe ajo e Ilir Metës në opozitë.
Dhe rasti Manjani nuk ishte as i pari e as i vetmi. Ai vinte pasi disa javë më parë, zvendësi i parë politik i Ilir Metës, njëherësh dhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili , kishte reaguar kundër urdhërit të kryeministrit, Edi Rama për vendimin e kalimit të Spitalit të Traumës në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, duke e vlerësuar atë si “hap prapa”. Vasili i LSI i bënte të ditur qeverisë se ishte kundër dhe i kërkonte ta rishikonte me racionalitet vendimin e saj.
Me të njejtën dorë të Petrit Vasilit, LSI e Ilir Metës hodhi gurë të ngjashëm edhe në muajt pasues, dhjetor 2016 e janar 2017, kur doli zyrtarisht kundër Qeverisë për dhënien me koncesion të laboratorëve spitalorë, duke e zyrtarizuar goditjen përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta njëherësh dhe kryetar i LSI, që të pezullohet financimi prej 8 milionë euro për partneritetin publik-privat të parashikuar në buxhetin e vitit 2017.
Ka dhe të tjerë gurë të hedhur nga aleatja LSI ndër rrotat e pjesës socialiste të qeverisë Rama gjatë dhjetorit, si qënia kundër ligjit të plehrave dhe kundër atij të lokaleve të bixhozit etj., që po i lemë mënjanë, për tu ndalur tek ajo më e fundit e që lidhet me sjelljen në Tiranë për koncert të një pjese të instrumentistëve të orkestrës së Vjenës, të kryesuar nga talenti shqiptar Shkëlzen Dolli. Një iniciativë e vlerësuar si “brilante” kjo, nga jo pak personalitete diplomatike dhe intelektual të thjeshtë, por e kundërshtuar, madje e anatemuar me artikulim vulgar, nga LSI e Ilir Metës. Edhe për këtë rast qëlluesi me gurë ishte politikani gjitholog Petrit Vasili, i cili pa asnjë pikë turpi, duke pranuar faqe të gjithëve injorancën e krahasimit vulgar, u shpreh në ligjëratë të drejtë:
“Koncerti i Vjenës duhet të flasë shqip. Orkestra e RTSH mund ta bëjë këtë. Orkestra e RTSH është një formacion muzikor dinjitoz. “Danubin Blu” shqiptarët e kanë dëgjuar falë kësaj orkestre. Shkëlzen Doli dhe orkestra e RTSH e sjellin Vjenën në Tiranë. Qeleshet rrinë më mirë në kokën e shqiptarëve. Shqiptarët e pinë më mirë rakinë me fund”.
Por kulmi i kulmeve në raportin koalicionist, midis PS dhe LSI-së, u arrit kur, si të mos ishte pjesë e qeverisjes por e opozitës, ish ministri Ylli Manjani, jo vetëm kundërshtoi, por hodhi akuza edhe më të rënda se vetë opozita e shqueshme për kësi veprimesh, ndaj aleatit qeverisës. Dhe, ndërsa për këtë akt ai u shkarkua nga posti i ministrit, duke ja lenë vendin mjekut infeksionist Petrit Vasili, askush nuk di të thotë nëse sjelljet e Manjanit, e ato të mëparshmet e Vasilit dhe Lefter Kokës, lidhen me fillimaplikimin e strategjisë së suksesëshme të dyzetë e pesë muajve në koalicion qeverisës dhe tre muajve në opozitë
Sepse të njejtën sjellje ka shpalosur LSI edhe në parazgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të 2013-tës, kur, si për koiçidencë me 2017, i nisi gërrvëret me bashkëqeverisësen PD në gjashtë muajt e fundit të përfundimit të mandatit për ta ashpërsuar konfliktualitetin dhe kundërshtitë ndaj qeverisë Berisha me kalimin e muajve dhe ofrimin e datës së zgjedhjeve. Tre muaj para kësaj date, konflikti kulmoi duke prodhuar lajmin e bujshëm të daljes së Ilir Metës nga koalicioni me Berishën, dhe rreshtimi me Edi Ramën, me Rilindjen të cilës dukej fare qartë se po i buzeshte fitorja.
Dyzetë e pesë muaj në qeverisje, tre muaj në opozitë. E njëjta formulë, nga sa duket ka funksionuar edhe përgjatë bashkëqeverisjes PS-LSI dhe i vetmi fakt që pritet të verifikohet është finalja, pra nëse do të ketë apo jo vijimësi edhe për 2017 krushqia, midis dy shemrave të majta, apo tre muaj para datës 18 qershor, që i bie në muajin Prill, LSI të na befasoj sërish me shpalljen e daljes nga qeveria Rama.