Të shtunën luhet Milan-Inter, por Romelu Lukaku sheh përtej derbit të Madonninas. Sulmuesi belg, i cili po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij me fanellën zikaltër dhe me përfaqësuesen, nuk lë dalje publike pa shfrytëzuar për të thënë se është shumë i lumtur me përvojën dhe jetën e tij milaneze.
“Qëllimi është të fitojmë kampionatin, duam të bëhemi kampionë të Italisë, por të shohim. Jam i lumtur që jetoj në Milano. Gjithmonë ka diçka për të bërë, jo vetëm pazar, edhe pse nëna ime më bën me dhimbje koke me këtë gjë. Njerëzit janë të ngrohtë dhe e duan futbollin, më shumë se anglezët. Ata kanë pasion: nëse gjërat shkojnë mirë dhe shohin që lojtarët japin gjithçka në fushë, atëherë respekti është përjetë. Por, nëse gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të përgatiteni, sepse mund të jetë e pakëndshme“.
Belgu ka gjetur ambientin perfekt në Itali për t’u shfaqur në nivelin e tij më të lartë.
“Duhet të jem mirënjohës që po përjetoj një situatë të tillë, ta ndjesh është maksimumi. Ndihem vërtet mirë, njerëzit janë të sjellshëm dhe jam i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje”, deklaroi 27-vjeçari, autor i një dygolëshi që vendosi suksesin 1-2 të Belgjikës në fushën e Islandës në Nations League.