Merkato dimërore nuk i dhuroi Xhenaro Gatuzos një anësor sulmi, por në këtë afat kohor i mundësoi konsolidimin e mesfushës. Prej të paktën një dekade, pikërisht reparti i mesëm ka qenë një nga hallkat e dobëta të Milanit.
Lukas Paketa përkufizohej si një bast, ose më saktë si një element që do të përfshihej brenda ekipit kuqezi me shumë qetësi për të qenë titullar ndoshta në sezonin tjetër. Gatuzo e hodhi menjëherë në fushë, titullar dhe nuk e largoi më kurrë nga formacioni.
Pesë ndeshje radhazi si i tretë mesfushe, punë e madhe në ndërlidhjen e reparteve dhe kontribut në fazën pa top. Më shumë sesa mesfusha, Milanit i mungonte një mesfushor i tillë. Përveç meritave të brazilianit, duhen njohur patjetër edhe përmirësimet e Tiemue Bakajokos. Francezi kishte nisur ngritjen që në dhjetor, por në katër javët e fundit ka qenë monumental për repartin e mesëm të Milanit.
Aq shumë hapa përpara ka bërë ekipi i Rinos në mes, saqë rënia e lehtë e Kesit nuk ka komprometuar ndeshjet e kuqezinjve. Pak kohë më parë, një seri ndeshjesh të dobëta të afrikanit do të kishte përkuar me po aq disfata për skuadrën, por sot është një kohë tjetër. Afrimi i munguar i anësorit ofensiv është ndikuar jo pak edhe nga rendimenti i treshes Paketa-Bakajoko-Kesi. Ekuilibri që garantojnë këta zotërinj mund ta ndihmojë Milanin të ecë përpara edhe me sulmuesit anësorë që ka, e sidomos nëse këta të fundit shtojnë kontributin e tyre në nivel paraqitjesh dhe golash.
Për të mos u nënvlerësuar edhe rikthimi i Bilias. Argjentinasi do të ofrojë një tjetër interpretim të rolit, sepse regjisori këtij Milani i mungon. Ai mund të jetë një letër e mirë edhe në ndeshje e sipër, ndërkohë që Gatuzo tashmë duhet të punojë me saktësinë në metrat e fundit të sulmit. Donaruma nuk po pëson, mesfusha garanton filtër, ndaj për Champions-in, thirrjes duhet t’i përgjigjet edhe sulmi.