“Remuntada” ndaj Atletico Madridit ka pasur një vlerë të jashtëzakonshme dhe të pallogaritshme për Juventusin.
Triumfi ka rikthyer bardhezinjtë fuqishëm në garë për trofeun e ëndërruar dhe tashmë me një Ronaldo më shumë gjithçka është e arritshme.
Megjithatë, përtej aspektit sportiv, ka edhe një aspekt tjetër me shumë rëndësi për klubin dhe tifozët: ai financiar.
Juventus fluturon në çerekfinalet e Champions League dhe paratë e arkëtuara nga UEFA janë një “lumë” gjigant që mbush arkat e klubit torinez.
Kalimi i turit i jep Juves 10,5 milionë euro, që u shtohen 82,4 milionë eurove të fituara deri tani dhe që ndahen kështu: 17,1 milionë euro nga “market pool”, që është pesha e Italisë dhe Juventusit në arenën ndërkombëtare dhe në media; 15,3 milionë si bonus për pjesëmarrjen, 29,7 milionë nga renditja e dekadës së fundit, 10,8 nga rezultatet e arritura dhe 9,5 milionë nga kalimi i fazës së grupeve.
Në këtë mënyrë, Juve arkëton që tani 94,1 milionë euro në total, pa llogaritur të ardhurat e tjera, duke nisur nga biletat (vetëm ndaj Realit thuajse 5 milionë euro fitim).
Të ardhurat do të shtohen edhe për faktin se është eliminuar Roma, që do të thotë se Juve do të arkëtojë gjithë të ardhurat e destinuara për klubet italiane në Champions tani e tutje, nga “market pool”.
Nëse pastaj Juve fiton Champions, arkëtimi do të kapte 126,6 milionë eurot vetëm nga UEFA, praktikisht duke mbuluar gjithë shpenzimet për blerjen e Cristiano Ronaldos.