Ekonomi Vetëm ushqimet nuk bien. Shqiptarët sakrifikojnë për të ngrënë

Vetëm ushqimet nuk bien. Shqiptarët sakrifikojnë për të ngrënë

| Nga American Eye
Shpërndaje

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se shitjet me pakicë kanë rënë gjatë tre mujorit të fundit të 2018-ës krahasimisht me tremujorin paraardhës.

Por, jo ushqimet. Produktet ushqimore kanë qenë të vetmet që përfaqësojnë shitjet me pakicë të cilat kanë pësuar rritje gjatë tremujorit të fundit të vitit që kemi lënë pas.
Edhe hidrokarburet kanë pasuar një rritje shumë të lehtë.

Në tremujorin e katërt 2018, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është ulur 1,3 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur me 6,1 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Kurse, indeksi i volumit të shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur me 2,3 % kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur 0,1% kundrejt tremujorit të tretë 2018.