Me 333 vota për, Lumir Abdixhiku është zgjedhur sërish në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në sallë prezentë ishin 333 delegatë, nga 335 që ka gjithsej LDK.
Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku theksoi do ta ushtrojë këtë detyrë e ketë përgjegjësi me “sjellje rugoviste”.
“Ju faleminderit të gjithëve për këtë nder dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme që ma dhatë sot. Unë tani kam një fjalë të përgatitur në konventën madhështore që do të mbahet me fillim nga ora 17:00 dhe do t’u kursej këtë kohë tani. Do të ushtrojë këtë detyrë e këtë përgjegjësi me sjellje rugoviste në besim në LDK, në besim në anëtarësinë tonë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku ishte kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së, pasi Faton Bislimit nuk iu aprovua kandidatura nga kryesia e partisë.
Gjatë mbledhjes së Kuvendit është miratuar edhe programi “Rruga e Re” që është paraqitur nga kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në më shumë dy vjet në krye të LDK-së, suksesi më i madh i Abdixhikut dhe ekipit të tij, janë zgjedhjet lokale, të mbajtura në nëntor të vitit 2021.
Nën drejtimin e Abdixhikut, LDK kishte arritur që t’i fitonte 8 komuna, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën. Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të kësaj partie.
Këto zgjedhje në këtë parti, kishin ardhur pas dorëheqjes së Isa Mustafës – si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e katastrofik në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.