Kosova Kurti ngre alarmin: Grupi paramilitar i Radoiçiç po riorganizohet në kufirin Kosovë-Serbi

Kurti ngre alarmin: Grupi paramilitar i Radoiçiç po riorganizohet në kufirin Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur alarmin për një riorganizim të grupit paramilitar serb që kreu sulmin në Basnjkë, më 24 shtator, duke i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku.

Shefi i qeverisë në Prishtinë bën me dije se nën udhëheqjen e Milan Raoiçiç, në Rashkë të Serbisë është zhvilluar disa ditë më parë një mbledhje, ku kanë marrë pjesë edhe politikanë nga komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë. Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.  Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës”, njofton Kurti.

Kryeministri i Kosovës kërkon nga misionet ndërkombëtare, KFOR dhe EULEX, që të reagojnë dhe të dënojnë ashpër riorganizimin e grupit militar të Radoiçiçit në Serbi.

Po ashtu, Kurti kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të sanksionojë Serbinë që mbështet veprimet e grupeve terroriste në Veri të Kosovës, me veprime që vijnë në një kohë kur janë ngritur shqetësime mbi planet e Rusisë për të nxitur konflikt në Ballkanin Perëndimor.

“U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.  KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit. Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.  Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën. Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit. Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.”