Dikur gjeneral, e më pas perandor, ikona historike Napoleon Bonaparti pati një jetë të mbushur me ngjarje që i dhanë formë historisë.
Megjithëse ka pasur shkrime nga më të ndryshmet për jetën e tij, shpeshherë ku përshkruhet dhe si kontrovers, këto janë disa nga faktet që na njohin me një udhëheqës që bëri kthesa të ashpra për Europën.
Ai ishte një ushtarak i formuar
Napoleoni lindi në një familje të vogël fisnikësh në Korsikë, një ishull i madh jashtë brigjeve të Italisë – vetëm një vit pasi ishulli u bë territor francez. Prindërit e tij u kujdesën që ta shkollonin në Francë, por rrënjët e tij nuk i harroi kurrë. Në fakt, ai fliste frëngjishten me theksin e Korsikës, gjë për të cilën e tallnin në fëmijëri.
Si adoleshent, Napoleoni u bë pjesë e shkollës prestigjioze ushtarake École Militaire në Paris, dhe po atëherë, familja e tij u detyrua të varej financiarisht nga ai, pasi babai i ndërroi jetë.
Pasi u detyrua të punonte për të mbajtur familjen, Napoleoni pati paraqitje të dobët në studimet ushtarake.
Nuk ishte edhe aq nacionalist në fillim
Edhe pse Napoleoni ishte arkitekti i Perandorisë Franceze, si i ri dëshironte që ishulli ku jetonte të ishte i pavarur.
Në fakt, prindërit e tij ishin kundërshtues të sundimit francez, dhe si i ri, Napoleoni pati një seri shkrimesh ku e përshkruante Francën si “përbindëshe të lirisë njerëzore”.
Por bindjet e tij ndryshuan pasi kaloi shumë kohë në Paris. Kur e pa vendlindjen e tij të vogël dhe të izoluar, e kuptoi se ëndrrat e tij ishin më franceze se vetë Korsika.
Gruaja e tij e parë, Josephine de Beauharnais, për pak sa nuk u ekzekutua
E lindur në një familje bujqish në Martinikë, Jozefina u martua me aristokratin francez Alexandre de Beauharnais në moshën 16-vjeçare.
Qysh në moshë të re, ajo njihej për intrigat dhe joshjen që u bënte burrave të klasës së lartë.
Nga kjo nuk i shpëtoi burgut, ndërsa Revolucioni Francez po bënte kërdinë nëpër Paris.
Bashkëshorti i saj dhe ajo u dërguan në gijotinë, por një ditë para ekzekutimit, qeveria ishte shpërbërë dhe ekzekutimi u hoq.
Pasi shpëtoi nga vdekja, ajo u bë një figurë e njohur dhe u takua me Napoleonin në një festë. Jozefina ishte 32-vjeçare me një status të lartë, dhe ai 26-vjeçar, i ri dhe i pa eksperiencë.
Është interesant fakti se pas gjashtë muajsh, kur edhe u martuan, ajo shkroi në certifikatën e martesës më pak vite se sa kishte, vetëm që të dilnin moshatarë.
Pasi ajo nuk po lindte fëmijë nga Napoleoni, ky i fundit u shqetësua për të ardhmen e perandorisë së tij. I dëshpëruar për një trashëgimtar të ligjshëm, Napoleoni u divorcua nga Jozefina dhe filloi të kërkonte një grua të re.
Duke shpresuar për të çimentuar aleancën e fundit me Austrinë nëpërmjet një lidhjeje familjare, Napoleoni u martua me Marie Louise, Dukesha e Parmës, vajza e Francis II, e cila ishte 18 vjeçe në atë kohë. Më 20 mars 1811, Marie Louise lindi një djalë, të cilin Napoleoni e bëri trashëgimtar të vetëm dhe i dha titullin Mbreti i Romës.
Djali i tij kurrë nuk e sundoi perandorinë, por historianët ende i referohen atij si Napoleoni II.
Napoleoni nuk i tha kurrë gruas së tij “Jo sonte, Jozefinë”.
Sigurisht që nuk mund t’i dimë raportet private brenda një çifti, por gjykuar nga letrat dërguar njëri-tjetrit, Napoleoni ishte i magjepsur pas gruas së tij.
Kur ishte në Itali për të zgjeruar pushtimin e tij, ai i shkruante edhe nga beteja, nga frika se mungesa e tij do të reflektonte keq te ajo.
Ai nuk ishte aq trupshkurtër
Thashethemet lidhur me gjatësinë e tij nisën edhe sa ishte gjallë. Propagandistët anglezë e përshkruanin atë madje si komik nëpër karikaturat e botuara.
Kjo për pak sa nuk u shndërrua në një fakt të pranuar në shekullin e 20-të. Madje burrat shtatshkurtër i thërrisnin Napoleon.
Por sa ishte i gjatë ai?
Ai ishte 1,70 cm, jo edhe aq shtatshkurtër sa të parodizohej. Madje, ishte mesatar për burrat e asaj kohe.
Një romantik i pashëruar
Po, ky ishte gjenerali romantik i cili i dha vetes edhe titullin Perandor. Ai shkroi edhe një roman dashurie.
Atë e shkroi pak para se të takonte gruan e tij të parë. Romani kurrë nuk u botua, por skripti i saj u ruajt, e madje u bë pjesë e ankandeve në shekujt në vijim.
Përkthimi i tyre në gjuhën angleze u bë në vitin 2009. Për kuriozët, ai mund të lexohet fare lehtë në internet, nëse shkruani “Clisson et Eugénie”
Ai nuk frikësohej nga macet
Ka pasur shumë shkrime se Napoleoni shastisej nga prania e maceve, ashtu si shumë gjeneralë e diktatorë.
Në fakt, ka pasur shumë nga ata që vuanin nga “ailurophobia” apo frika nga macet. Një gjë e tillë nuk vërtetohet askund prandaj mbetet vetëm një mit.
Ushtria e Napolonit zbuloi gurin e Rosetës
Napoleoni mbahet mend mirë për fuqinë e tij politike dhe ushtarake, por gjatë jetës së tij të hershme, ai gjithashtu konsiderohej dhe si shkencëtar. Ai madje u zgjodh anëtar i Institutit Kombëtar, shoqëri kjo e shquar shkencore në Francën e pas-Revolucionit. Gjatë ekspeditës së tij për të pushtuar Egjiptin dhe për të shmangur rrugën tregtare të Britanisë, Napoleoni morri 150 burra, shkencëtarë, inxhinierë dhe studiues për të analizuar topografinë, mjedisin, kulturën dhe historinë e Egjiptit.
Përshkrimi me 23 vëllime i Egjiptit fliste për njohuri të pashembullta të vendit, por ndoshta gjetja më e madhe ishte Guri Rosetta.
Kapiten Pierre François-Xavier Bouchard zbuloi pllakën e gdhendur gjatë rrënimit të një muri të lashtë në qytetin Rosetta. Ai menjëherë kuptoi rëndësinë e zbulimit dhe e dërgoi gurin në Kajro. I gdhendur në hieroglife, guri përfundimisht u përdor si shifër që dekodoi hieroglifet e lashta egjiptiane.
Simfonia e tretë e Bethovenit ishte fillimisht një dedikim për Napoleonin
Ludëig van Beethoven admironte shumë gjeneralin, madje edhe në vitet e hershme të Napoleonit si Konsulli i Parë pas përmbysjes së qeverisë ekzistuese. Kur filloi të punojë me Simfoninë e tretë, Beethoven deklaroi se ishte i frymëzuar nga Napoleoni dhe idealet e dukshme demokratike.
Por pastaj, në vitin 1804, edhe pasi u shpall vetë Konsulli i Parë, Napoleoni u kurorëzua dhe perandor i Francës dhe Beethoven humbi të gjithë respektin për të. Sipas Ferdinand Ries, një studiues dhe biograf i hershëm i kompozitorit, Beethoven bërtiti: “A është ai, që e përshkruante veten një qenie njerëzore të zakonshme? Tani ai po i kënaq ambiciet e tij duke e shpallur veten perandor!”. Beethoveni e grisi simfoninë gjeniale dhe e hodhi në dysheme.
Si perandor, e tërhoqën mësimet e Islamit
Si fëmijë, Napoleoni u pagëzua katolik, por shkrimet e tij tregojnë se ai filloi të vinte në pikëpyetje katolicizmin – dhe, në të vërtetë, ekzistencën në Zot.
Por, teksa Napoleoni kishte mungesë besimi, ai përdorte fuqinë taktike të fesë në organizim. Pas ngjitjes së tij të parë në pushtet në Francë, ai filloi të ringjallte Kishën Katolike, e cila ishte shkatërruar gjatë Revolucionit. Duke vepruar kështu, megjithatë, ai e njohu katolicizmin vetëm si “fe e shumicës dërrmuese të qytetarëve francezë” dhe solli Kishën nën autoritetin e shtetit.
Si perandor, Napoleoni u përpoq të emancipojë hebrenjtë në zonat e Europës nën kontrollin e tij, duke insistuar që ata të jenë të lirë të posedojnë prona dhe të adhurojnë lirshëm (një shpallje që i dha titullin “Antikrisht dhe Armiku i Perëndisë” nga Kisha Ortodokse Ruse).
Natyrisht ai nuk e bëri këtë nga dashamirësia e pastër, por sepse besonte se liria fetare do të tërhiqte popullata hebraike në territoret e kontrolluara nga francezët. Pas ekspeditës së tij egjiptiane, disa hulumtues besonin se Napoleoni u mrekullua nga mësimet e Profetit Muhamed dhe feja Islame. Megjithëse kjo u shfaq vetëm si situatë, ai shkroi njëherë në kujtimet e tij: “Unë nuk jam asgjë, në Egjipt kam qenë mysliman, këtu do të jem katolik”.
Jo shumë e dinë se Napoleoni ishte një admirues i Islamit. Napoleon Bonaparti tregoi mbështetje për Islamin dhe u përpoq për të kombinuar idealet liberale me pragmatizëm politik.
Ai provoi t’i merrte jetën vetes para se të ikte në ishullin Elba
Pas një disfate shkatërrimtare që iu bë në Rusi dhe presioneve nga Koalicioni i Gjashtë, Napoleoni u detyrua të abdikohej si pjesë e Traktatit të Fontainebleau më 11 prill 1814. Edhe pse fillimisht do të dënohej me dëbim nga vendi, në drejtim të ishullit Elba ku do të jetonte si sovran, reagimi i parë i Napoleonit ndaj internimit ishte një përpjekje për vetëvrasje ndërsa ishte ende në Fontainebleau. Ai përtypi një pilulë helmuese që e mbante në xhep në rast të humbjes nga Rusia. Por pilula duhet se kishte qenë e moçme. Ai u sëmur, por nuk vdiq.
Britania e frikësohej famës së tij që kishte te qytetarët e saj
Pas largimit të tij nga Elba dhe rikthimit të tij të shpejtë në pushtet, Napoleoni u mund në Vaterlo dhe u detyrua të dorëzohej tek kapiteni britanik i HMS Bellerophon. Fillimisht, ai i përgatiti një letër princit Regjent dhe Mbretit Xhorxh IV duke kërkuar azil dhe “një pasuri të vogël” jashtë Londrës – një kërkesë e guximshme kjo duke marrë parasysh përpjekjet e tij të komplotimit për të pushtuar Britaninë. Letra nuk u dorëzua asnjëherë, por me gjasë nuk do të kishte rëndësi. Parlamenti ishte i shqetësuar se Napoleoni, një diktator i huaj, do të ishte kaq popullor me njerëzit e zakonshëm britanikë, saqë refuzuan të lejojnë që ai të zbresë. Anglezët mendonin se ndikimi i tij do të ishte edhe më madh sesa i Papës. Ai u dërgua në ishullin ekstra-territorial të Britanisë së Madhe, në Shën Helenë, jo larg Rio de Janeiros.
U përpoqën ta shpëtonin, qoftë edhe me nëndetëse
Britanikët u kujdesën jashtëzakonisht mirë për sigurimin e internimit të Napoleonit. Ishulli Shën Helena ishte i izoluar, e rrethuar me male të pjerrëta dhe i ruajtur nga 2800 burra të armatosur me 500 topa. Detet rreth ishullit të vegjël patrulloheshin vazhdimisht nga një skuadër e plotë e Marinës Mbretërore e përbërë nga 11 anije.
Gjatë gjashtë viteve të fundit të Napoleonit në Shën Helenë, pati disa përpjekje për ta shpëtuar atë nga internimi.
Përpjekjet përfshinin anije, balona dhe madje edhe një numër nëndetësesh primitive. Kontrabandisti i njohur britanik Tom Johnson më vonë deklaroi se në vitin 1820 atij iu ofruan 40,000 sterlina për të shpëtuar perandorin, por nuk mundi.
Atij iu ndërtua një shtëpi në Nju Orleans
Nicholas Girod, kryebashkiaku i atëhershëm i Nju Orleans, ishte një francez dhe përkrahës i zellshëm i Napoleonit. Pas abdikimit në Ëaterloo, Girod ndihmoi anëtarët e Gardës Perandorake të Napoleonit që të shpëtojnë dhe i nisi për Amerikë. Por ai gjithashtu kishte plane për vetë perandorin, nëse ai do të pranonte të shkonte në Nju Orleans.
Ai filloi rinovimin e një shtëpie në cep të Chartres dhe St. Louis Streets, të cilën pretendonte se do të ishte qëndrimi i Napoleonit pas një ekspedite për shpëtimin e tij. Kur Napoleoni vdiq në të njëjtin vit, Girod zhvendosi familjen e tij në ndërtesë, por edhe sot ajo njihet ende si “Napoleon House”.
Napoleoni vdiq nga kanceri në stomak, e ndoshta ndikoi dhe helmimi me arsenik
Napoleoni vdiq më 5 maj 1821, në moshën 51 vjeç, ndërsa ishte ende në internim në Shën Helenë. Në atë kohë, mjeku i tij personal theksoi në certifikatën e vdekjes se perandori ndërroi jetë nga kanceri i stomakut.
Por trupi i tij mbeti shumë mirë i ruajtur, një efekt i zakonshëm anësor i helmimit me arsenik, duke nxitur dyshimet se këtu ka pasur një lojë të ndyrë.
Në vitin 1961, nivele të larta të arsenikut u zbuluan në mostrat e flokëve të Napoleonit, duke ushqyer më tej këto thashetheme. Edhe nëse ai nuk ishte vrarë në atë mënyrë, disa sugjerime flisnin se ndoshta ai ishte helmuar aksidentalisht nga tymi i krijuar nga arseniku në dhomën e tij të gjumit dhe nga lagështia në Shën Helenë.
Në Britani, Napoleoni shihej si një armik, dhe kujtohet për rrëzimin e qeverisë dhe për luftëra. Reputacioni i tij është i tillë saqë edhe ka krijuar një term në shkencat psikosociale, i quajtur “kompleksi i Napoleonit”, i cili përfshin ata që veprojnë me agresivitet për të arritur qëllimet.