Bota Macron dhe Merkel kërkojnë shpjegime mbi spiunazhin SHBA-Danimarkë

Macron dhe Merkel kërkojnë shpjegime mbi spiunazhin SHBA-Danimarkë

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kërkuan shpjegime nga Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka, pas raporteve që shërbimet e inteligjencës daneze ndihmuan Uashingtonin të spiunonte politikanët evropianë.

“Kjo nuk është e pranueshme midis aleatëve, aq më pak midis aleatëve evropianë dhe partnerëve,” tha Macron në një Këshill të Ministrave Franko-Gjermanë. Merkel tha se ishte dakord me vërejtjet e homologut të saj francez.

Transmetuesi publik danez Danmarks Radio (DR) thotë se midis 2012 dhe 2014 Shërbimi Informativ i Mbrojtjes Danez ndihmoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA (NSA) për të vjedhur të dhëna përmes kabllove nënujore të internetit.

Sipas raportit, Merkel ishte midis zyrtarëve që përgjoheshin.

Sinjalizuesi amerikan Edward Snowden së pari pretendoi se Uashingtoni kishte përgjuar telefonin e Merkelit në 2013, një pretendim që nuk u mohua plotësisht nga Shtëpia e Bardhë.

Hetimi i ri i kryer nga DR me disa media evropiane pretendon se NSA arriti në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike të një numri politikanësh të tjerë kryesorë.

Sipas DR, nëntë burime me qasje në informacionin e klasifikuar e kanë konfirmuar raportin.

Ministrja e Mbrojtjes Trine Bramsen, e cila ka qenë në punë që nga viti 2019 i tha DR se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.

Ligjvënësi danez Karsten Hoenge tha të hënën se do të pyeste ministrat e mbrojtjes dhe drejtësisë të vendit në parlament në lidhje me çështjen.

“Qeveria duhet të shpjegojë se si Danimarka ka qenë duke vepruar si një mjet i gatshëm për një shërbim të inteligjencës amerikane dhe çfarë do të thotë kjo për bashkëpunimin me vendet fqinje të Danimarkës,” tha ai.

Franca tha më herët se akuzat ishin “jashtëzakonisht serioze” nëse provohen.

“Është jashtëzakonisht serioze, ne duhet të shohim nëse partnerët tanë në BE, danezët, kanë bërë gabime në bashkëpunim me shërbimet amerikane”,  i tha radios “France Info” Ministri i Evropës i Francës, Klement Beaune.

Ai tha se faktet së pari duhet të verifikohen dhe pastaj të nxirren konkluzione.

Raporti vjen në një kohë kritike për bashkëpunimin transatlantik, vetëm dy javë para se presidenti i SHBA Joe Biden do të vizitojë Evropën, për herë të parë që kur ai mori detyrën me rastin e një samiti të G7.