Bota Qendra Stalin, qyteti ku rehabilitohet figura e diktatorit sovjetik

Qendra Stalin, qyteti ku rehabilitohet figura e diktatorit sovjetik

Nën regjimin e tij, rreth 1,7 milionë qytetarë sovjetikë u dërguan në kampe internimi, ndërsa 690 mijë u ekzekutuan. Megjithatë, Joseph Stalin është një personazh që ka ende admiruesit e tij në Rusi.

Në qytetin e vogël Bor, buzë lumit Vollga, rehabilitimi i figurës së diktatorit është më i dukshëm se kudo. Pak ditë më parë, aty u përurua një monument i ngritur rishtazi i Stalin, i cili shërben si simbol i qendrës që mban emrin e tij, një muze edukativ që paraqit anët pozitive të regjimit të tij.

“Stalin ishte sunduesi më i mirë. Fitoi luftën dhe rindërtoi vendin nga gërmadhat”, thotë për NBC News Aleksey Zorov, 44 vjeç. Ai nuk është i vetmi që e mendon kështu.

Një pjesë e mirë e shoqërisë ruse mendon se kujtimi i tij rikthen në vëmendje një epokë madhështore. Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, e ka mbështetur këtë qasje, si një mënyrë për të hequr vëmendjen nga problemet e sotme të Rusisë.

Statuja në Bor është vetëm një nga shumë të tjera që janë ngritur së fundmi në disa qytete ruse. Popullariteti i diktatorit është në rritje, siç tregon edhe një sondazh i realizuar nga Levada Center, sipas të cilit 70% e rusëve miratojnë politikat e ndjekura prej tij.