Sikur të mos mjaftonte situata e ndezur mes Italisë dhe Gjermanisë sa i përket krizës së krijuar nga koronavirusi i ri, gazeta gjermane “Die Welt” i ka hedhur benzinë zjarrit.
“Zonja Merkel, mos u përkulni”, thuhet në artikullin që mban firmën e Christoph Schlitz. Ai kërkon që qeveria gjermane të mos lëshojë përpara kërkesave italiane për korona-bonot.
“Duhet të jetë e qartë se në Itali, ku mafia është e fortë dhe tani vetëm po pret shiun e financimeve nga Brukseli- fondet duhet të paguhen vetëm për sistemin shëndetësor dhe jo për sistemin social dhe fiskal”, shkruan ai.
Artikulli ka zemëruar edhe ministrin e Jashtëm italian, Luigi di Maio.
Di Maio kritikoi sot ashpër pretendimet e gazetës gjermane ”Die Welt”, sipas së cilës mafia mund të rrëmbejë ndihmat që Italia po kërkon nga Bashkimi Europian për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Që një gazetë e huaj të thotë se mafia po pret paratë që po kërkon Italia nga Brukseli është një pretendim i turpshëm dhe i papranueshëm”, i tha Di Maio radiotelevizionit publik italian, RAI.
“Shpresoj që qeveria gjermane të distancohet nga deklaratat e ‘Die Welt’, që është një nga gazetat kryesore në Gjermani”, shtoi ai.
Përfundimi vjen në mes të një bllokimi të hidhur brenda BE mbi eurobono – lëshimin e një borxhi të përbashkët nga vendet e eurozonës për të mbledhur fonde për vendet e goditura rëndë nga virusi si Italia dhe Spanja.
Gjermania është ndër vendet me rezervat më të forta për këtë çështje.
Në Itali, ekspertët antimafia kanë paralajmëruar për rrezikun që grupet mafioze të përpiqen të rrëmbejnë një pjesë të parave publike që pritet të pompohen në ekonomi në fazën e rikuperimit pas virusit.
“Do të jetë një mundësi e artë për ta, por ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe do të miratojmë kundërmasa”, i tha Giuseppe Governale, kreu i policisë antimafia të Italisë (DIA), agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, në fund të marsit.
Italia ishte vendi i parë jashtë Azisë që u godit nga pandemia.
Vendi deri më tani ka humbur më shumë se 17 000 jetë njerëzish nga virusi, numri më i madh i vdekjeve në botë.