Aktualitet MAFIA SHQIPTARE: Pse ka profilin e Ndrangetas, struktura dhe roli në rritje...

MAFIA SHQIPTARE: Pse ka profilin e Ndrangetas, struktura dhe roli në rritje i grave

“American Eye” boton sot pjesë nga raporti i DIA-s (Drejtoria e Investigimit Antimafia) për mafian shqiptare. Organizimi i saj sipas hetuesve italianë, shtrirja në Shqipëri dhe në Europë. Pse mafia shqiptare ka një profil të ngjashëm sociologjik me Ndrangetën dhe roli në rritje i grave.

***

Analiza e fenomenit të krimit shqiptar, lejon të përcaktohet natyra e mafias shqiptare dhe organizatave kriminale, për aftësinë e tyre të shquar për të kryer veprimtari të jashtëligjshme sipas skemave ndërkombëtare.

Në pak kohë grupet kriminale shqiptare, kanë arritur nivele të larta në shoqëritë mafioze dhe kanë provuar të jenë të besueshëm në tregun botëror të krimit, duke përbërë kështu një pikë të rëndësishme referimi për trafikun ndërkombëtar.

Krimi shqiptar ka qenë në gjendje të përfitojë nga dy faktorë: nga njëra anë pozitën strategjike gjeografike të vendit të origjinës dhe, së dyti, kontrolli i dobët i territorit të Shqipërisë ka bërë të mundur përshkueshmërinë e institucioneve publike.

Grupet kriminale të përcaktuara në Itali dhe në vende të tjera evropiane mbajnë marrëdhënie të forta me ato të atdheut dhe, jo rrallë, janë terminalet dhe operatorët lokalë te trafikimit që organizohen në nivel ndërkombëtar.

Në një situatë të karakterizuar nga një evolucion i vazhdueshëm, është e mundur të zbulohet ekzistenca e disa dhjetëra grupeve kriminale që janë të rrënjosura në vende të caktuara. Për më tepër, ngjarjet politike të viteve ’90 kanë krijuar kontakte të forta me grupet e huaja të organizuara si Sacra Corona Unita apo mafia turke, mafia ruse.

Të arratisurit e shumtë, gjetja lehtësisht e armëve dhe eksplozivëve, korrupsioni i shfrenuar në institucione të ndryshme, mundësitë e lehta për pasurim janë këto faktorë që i dhanë krimit shqiptar të bënte hapa përpara, nga një grup i thjeshtë shërbëtorësh në një sistem kriminal autonom.

Mafia shqiptare është më e njohura dhe ndër më të rëndësishmet për sa  i përket depërtimit të territorit, mizorisë, dhunës dhe agresivitetit. Mafia shqiptare është rritur nga grupe të vogla të përbëra nga disa elemente të pavarura, në ortakëri të vërteta të ngjashme me ato tipike të organizimit të shoqatave kriminale italiane, duke zbatuar të njëjtat kode e metoda si italianët.

Shqiptarët gjithnjë kanë pasur lidhje me grupet më nën zë kriminale italiane si ‘Ndragetën, Cosa Nostra, Camorra dhe Sacra Corona Unita.

Struktura e mafies shqiptare

Operacionet e kryera nga policia i kanë lejuar  ata të studiojnë fenomenologjinë e organizatave kriminale shqiptare në përshkallëzimet e tyre progresive, nga të cilat janë zbuluar disa elemente karakteristike të krimit shqiptar.

Disa analistë kanë vënë në dukje se mafia shqiptare ka një profil të ngjashëm sociologjik me Ndrangetën: me bashkëpunëtorë që i përkasin të njëjtës familje, të njëjtin qytet apo edhe të njëjtën lagje.

Bandat shqiptare kanë gjithashtu një tipar që të kujton klanin kalabrez, me një strukturë përgjithësisht horizontale (te Cosa Nostra organizimi është vertikal), brenda të cilit njihet vetëm lideri suprem duke qenë se personat e tjerë, anëtarë të bandës mund të zëvendësohen.

Ashtu si te Ndrangeta, edhe te mafia shqiptare, ccdo familje ka kontroll të plotë në territorin që operon, dhe monopol të çdo aktiviteti, të ligjshëm dhe të jashtë-ligjshëm.

Banda mafioze shqiptare mbështetet kryesisht tek lidhjet e gjakut dhe farefisnore. Lidhjet mes familjeve të ndryshme janë forcuar më tej nëpërmjet martesave. Duke qenë se ata janë shumë të lidhur me njëri- tjetrin është e vështirë të dalin të penduar (familjarë që dëshmojnë kundra familjes).

Raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar Anti-Mafia, theksoi se për sa i përket strukturës organizative shqiptare, kjo e fundit është karakterizuar nga tre nivele të ndryshme  të cilat së bashku  manifestojnë sot një nga nivelet më të larta për aftësi kriminale transnacionale.

Ajo që bie në sy është se si shqiptarët kanë zënë territoret të cilat i mbajnë nën mbikqyrje të rreptë dhe aty zhvillojnë një sërë aktivitetesh ilegale që e kanë bërë Shqipërinë udhëkryq të trafikut të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Këto organizata janë si një lloj klani, me bazë familjare, megjithatë të shpejta në kapjen e mundësive të ofruara nga globalizimi i tregjeve dhe për të kërkuar forma të ndryshme bashkëveprimi.

Klanet shqiptare, edhe pse jo të gjitha janë të organizuara mirë,  kanë rregullat e tyre të brendshme, me metodat e nënshtrimit, me Omerta-n (kodin e heshtjes) etj, Mjaft të ngjashme me organizatat mafioze kryesore.

Mafia shqiptare është e ngjashme me mafiat e tjera jo vetëm në karakteristikat reale “mafiogjene” por edhe në format e gangsterizmit urban, banditizmit dhe në karakterin multi-etnik.

Kjo të kujton Ndragetën kalabreze, si organizatë që vepron në bazë të lidhjeve etnike ose familjare shumë të ngushta. Ata përdornin metodat e dhunshme dhe më brutale për të siguruar dominimin ndaj grupeve të tjera.

Organizata  gjithashtu përfshin një strukturë të caktuar në zona të ndryshme të Europës, të përbërë nga njerëz që jetojnë përgjithmonë në lëvizje, të ashtuquajturit trafikantët, përgjegjës për transportin e drogës. Në fund janë dhe korrierët, që janë materialisht përgjegjës për shpërndarjen e drogës, por që kanë një profil më të ulët. Dhe pas tyre vijnë tregtarët që shumë rrallë janë shqiptarë.

Udhëheqësit qëndrojnë pothuajse gjithmonë në vendin amë, ku ata japin udhëzime.

Vazhdimësia e strukturës sigurohet më pas nga një seri qelizash operative që kanë arritur me kalimin e viteve të marrin lejen e qëndrimit në territore të ndryshme kombëtare, në të cilat ata veprojnë dhe që përbëjnë pikën themelore të përshtatshme për trafikantët.

Policia thekson se organizatat duken shumë të vendosura, të përbëra nga individë të dhunshëm që shumë rrallë pendohen dhe të lidhur ngushtë me grupet e banorëve në Shqipëri.

Të tilla karakteristika të këtyre grupeve janë lehtësisht të kuptueshme sidomos po t’i referohemi rrënjëve të thella të kulturës shoqërore shqiptare, ku rregullat e të ashtuquajturit “Kanuni i Lek Dukagjinit”, ka shumë ligje e kode shoqërore që janë të ngjashme me mafien, sidomos kur në thelb është familja, ku kreu  i familjes duhet të bëjë gjithçka për të marrë hakun e familjes së tij, dhe për ta mbrojtur atë.

Grupi Special Operativ i Karabinierëve në Itali, thekson se në Shqipëri shoqatat më të forta kriminale, me një kapacitet të madh operativ në terren, janë të pranishme sidomos në qendrat e mëdha urbane.

Këto shoqata janë të përfshira në mënyrë të barabartë në realizimin e trafiqeve të jashtëligjshme në drogë, armë e qenie njerëzore duke ruajtur territorin e tyre nën një kontroll të rreptë.

Ajo që është interesante në raportin kriminal të Ministrisë së Brendshme italiane, është fakti që në organizatat kriminale shqiptare, është parë një rritje e pjesëmarrjes së grave, madje edhe në poste drejtuese,

Ndryshe nga e kaluara ku shqiptarët njiheshin gjerësisht si të lidhur me prostitucionin, tani ata janë tepër aktivë në grabitje të armatosura, trafik droge e krime të tjera.