Ai nuk dëshiron të presë 10 vite për një Milan konkurrues, por në të ardhmen e tij ka vend vetëm për kuqezinjtë. Ky është Paolo Maldini, i cili, në një intervistë dhënë për “Sky Sport”, shpjegoi: “Kthimi te Milani ishte një vendim zemre. Me siguri do të përfundojë këtu, nuk do ta bëj këtë punë diku tjetër. Kam dashuri dhe pasion të madh për këto ngjyra”.
Drejtori sportiv kuqezi mendon se skuadra ka ndryshuar për mirë: “Milani aktual, sipas nesh, është më i mirë se i sezonit të kaluar. Ideja është që të përmirësohet ende pozicioni në renditje, i cili, në sezonin që shkoi ishte më i miri i gjashtë kampionateve të fundit. Ideja për rinovimin e skuadrës është e përbashkët. Ne e dimë se asnjë skuadër e re nuk e ka fituar dot Serinë A apo Ligën e Kampionëve. Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për përfshirjen e lojtarëve me përvojë”.
Një i tillë është edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili janarin e kaluar kishte qenë një hap larg kthimit te kuqezinjtë, ndërsa janarin që vjen është lojtar i lirë. Maldini jep mendimin e tij: “Ibra mund të ishte një ëndërr, por nuk e di nëse brenda kokës së tij ekziston bindja për të mos e pranuar stolin. Mbaj mend se, kur Carlo Ancelotti më uli në pankinë në një derbi, kuptova se nuk mund ta pranoja kurrë një status të tillë. Nuk e di nëse edhe Ibra nuk mund ta pranojë këtë”.
Duke folur për merkaton, Maldini shpjegoi: “Gjëja e rëndësishme është se nuk kemi shitur lojtarët tanë më të mirë. Piatek? Ai është një lojtar i fortë. Duhet të mendojë më shumë për të luajtur me ekipin, ai po e bën këtë. Sidoqoftë, forca e tij duket në shënimin e golave”.