Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar në Parlament se në vend janë 518 persona të infektuar, duke konfirmuar kështu se gjatë 24 orëve të fundit rezultojnë 24 persona të infektuar me koronavirusin COVID-19.
“Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19 ose 10.7% e rasteve të testuara pozitive në më shumë se 4800 testime të kryera. Një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se prej 5 ditësh numri i të shëruarve e ka kaluar numrin e të infektuarve aktiv, por sipas ministres lufta nuk ka mbaruar.
“Lajm inkurajues është se numri i të shëruarve prej 5 ditësh rezulton të ketë kaluar numrin e të infektuarve aktiv. Kjo është një shenjë e mirë krahasuar me vendet e rajonit, por ende nuk është koha për bilance se nuk jemi në kushtet kur lufta ka mbaruar”.
Duke u shprehur së po propozohet të forcohen masat përmes amendimeve ligjore për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe për të siguruar shëndetin e tyre, Manastirliu apeloi që qytetarët të vazhdojnë të zbatojmë masat e vendosura.
“Një thirrje për qytetarët, dhe do kërkoja dhe ndihmën tuaj të nderuar deputetë, për të përçuar lajmin tek çdo qytetar që lufta me këtë virus fitohet nëpërmjet distancimit social, zbatimi i vetëkarantinimit, izolimi është thelbësor nëse duam ta fitojmë pa shumë humbje këtë luftë”, mbylli fjalën e saj Manastirliu.
Një ditë më parë, u konfirmuan 19 persona të infektuar. Ndërkohë që sot vihet re rritje e këtij numri, në 24 raste të reja, duke e çuar në total numrin e personave të infektuar në vendin tonë në 518.
Shifrat u deklaruan nga Manastirliu në Parlament, ndërkohë që ende nuk ka deklaratë nga zyrtarë të shëndetësisë për të treguar zonat ku është zgjeruar harta me infektimet e reja.