Manchester City fiton titullin e dhjetë kampion të Premier League si dhe të katërtin radhazi, duke shkruar historinë e elitës së futbollit anglez, pasi këtë diel u bë e para skuadër që fiton 4 tituj radhazi, me skuadrën e Pep Guardiolës që siguroi triumfin në ndeshjen e fundit të sezonit, atë ndaj West Ham të cilën e fitoi me rezultatin 3-1.
“Citizens” diktuan ritmin ndaj “The Hammers” në takimin e raundit të 38-të, me golat që për vendasit i realizuan Foden në minutat 2’ dhe 18’ si dhe Rodri në minutën e 58’.
Ndërsa për miqtë rrugën drejt rrjetës e gjeti vetëm Kudus, me një super roveshatë të shënuar në minutën e 42’. Pas kësaj fitoreje Manchester City u shpall kampion i Premier League në kuotën e 91 pikëve, teksa West Ham e mbylli sezonin në vend të nëntë me 52 pikë.
Ndërsa Arsenal edhe këtë sezon i shkoi shumë pranë fitore së titullit, por nuk ia doli, kjo edhe për shkak të triumfit të City-t në takimin e fundit.
Në raundin e 38-të skuadra e Mikel Arteta-s fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Everton, në një ndeshje shumë të luftuar, por në fund nuk mundi të festonte.
Golat për Arsenal u shënuan nga Tomiyasu në minutën e 43’ dhe Havertz në minutën e 89’, teksa për Everton shënoi Gueye në minutën e 40’.
Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 2-1 me Arsenal që e mbylli sezonin në vend të dytë në kuotën e 89 pikë, dy më pak se kampionët e City-t, teksa Everton në vend të 15-të me 40 pikë.