Bota Maqedoni e Veriut: Dënohet me 7 vite burg ish-kryeprokurorja

Maqedoni e Veriut: Dënohet me 7 vite burg ish-kryeprokurorja

Një gjykatë në Shkup e dënoi me 7 vite heqje lirie ish-kryeprokuroren e Prokurorisë së Posaçme, Katica Janeva, në rastin e njohur gjyqësor si “Reket” (Zhvatja), ndërsa të akuzuarin e parë Bojan Jovanovski, i njohur në publik si “Boki 13”, me 9 vjet heqje lirie.

Janeva u shpall fajtore dhe dënua për veprën shpërdorim i detyrës dhe të autorizimit zyrtar. Ndërkaq, Bojan Jovanovski për veprën “përfitim shpërblimi nga ndikimi jozyrtar” dhe për larje parash.

Prokuroria publike e hapi rastin para 11 muajsh me arrestimin e Boki-13, i cili prej atëherë ndodhet në paraburgim; ndërkohë Janeva u akuzua në gusht të 2019-s dhe pasi kaloi pak muaj në paraburgim, u la më pas në arrest shtëpie.

Gjykata i dënoi ata pasi gjeti se nga nëntori i vitit 2018 deri në prill të 2019-ës Jovanovski përmes ish-prokurores së posaçme Janeva kishte bërë që të ndikohej në rastin gjyqësor “Perandoria”, ku akuzohej biznesmeni Jordan Kamçev. Jovanovski kishte marrë 1,5 milion euro nga biznesmeni, teksa Janeva kishte përvetësuar pronë me vlerë prej 50 mijë eurosh dhe mobilje me vlerë prej 5 mijë eurosh.

Ky është vendimi i shkallës së parë dhe të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë atë tek gjykata më e lartë, ajo e Apelit. Janeva nuk ishte e pranishme në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Megjithëse në korrik, 2019 ajo dha dorëheqje nga detyra e prokurores së posaçme, Parlamenti e shkarkoi atë në shtator të atij viti. Procesi mund të ndikojë tek zgjedhjet e pritshme parlamentare, sipas njohësve të rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut.