Kryeministri Zoran Zaev është tërhequr nga premtimi i bërë gjatë fushatës elektorale, sa i takon zyrtarizimit të gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë.
I pyetur këtë të shtunë nga gazetarët, Zaev ka thënë se në mënyrë absolute nuk do të ketë dygjuhësi në të gjitha institucionet e vendit. “Absolutisht nuk do të ketë dygjuhësi në të gjitha institucionet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë”, tha ai. Sipas tij, ligji për gjuhët, siç është depozituar në Kuvendin e Maqedonisë, është në pajtim me Kushtetutën dhe me të, tha ai, “vetëm do të avancohen disa nevoja praktike të qytetarëve që deri më tani nuk kanë qenë të mundura”. Kryeministri konfirmoi se do të përcaktohet juridikisht ansambël i kulturës për qytetarët shqiptarë.
“Ligji për gjuhët është në pajtim me Kushtetutën. Aty ku do të ketë nevojë praktike dhe Kushtetuta e lejon këtë, ligji kështu edhe do të realizohet. Përmes tij mundësohet realizimi i disa nevojave që deri tani kanë qenë të pranishme tek qytetarët, ndërsa nuk janë mundësuar. Ky është avancimi i përdorimit të gjuhëve në RM dhe gjithsesi, ku ekzistojnë ansamble, pa rritjen e mjeteve të buxhetit, vetëm se do të përcaktohet juridikisht-formalisht ansambël, kulturor i shqiptarëve”, tha kryeministri Zoran Zaev.