Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohen më 12 prill 2020. Kjo është vendosur në takimin e liderëve të partive parlamentare me presidentin Stevo Pendarovski.
Presidenti Pendarovski ka thënë se nga të gjithë liderët ka marrë garanci se pa marrë parasysh vendimin e BE-së në lidhje me datën e bisedimeve, vendi do të vazhdojë rrugën e euro-integrimeve.
“Kemi konsensus shtetëror, pavarësisht përfundimeve të samitit të BE-së, kemi konfirmim nga të gjithë të pranishmit, se ne nuk kemi asnjë problem me metodologjinë e re që kërkohet. Të gjithë kanë rënë dakord se nuk kanë asnjë problem me procesin e rezervuar, për shkak se nuk kemi prej çka të frikësohemi, të gjithë të pranishmit i thanë jo cilësdo alternativë tjetër. Ne jemi pjesë e Evropës, dhe ne nuk po kërkojmë ndonjë alternativë tjetër, përveç asaj të një anëtares së plotë e BE-së”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.
Kryeministri nga LSDM, Zoran Zaev theksoi, se “besoj se qytetarët me mençuri do të sjellin vendim me të cilin do ta hapin rrugën nëpër të cilën ne politikanët, që do të marrim përkrahje, do ta udhëheqim shtetin tonë”. Ai tha se data është arritur me konsensus dhe se është marrë parasysh ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO. Zaevi tha se në rrugën e konsultimeve të brendshme në LSDM do të zgjidhet kryeministri teknik, i cili do të kryejë funksionin nga 3 janari. Ai vlerëson se tani është momenti i mirë që të bisedohet edhe për ndryshim të modelit zgjedhor, ndërsa sipas LSDM, është e pranueshme që të ketë një njësi zgjedhore dhe lista të hapura.
“Kjo datë na krijon mundësi që të flasim për modelin zgjedhor. Si kryetar i partisë më të madhe politike në shtet mbetem në qëndrimin, se shteti duhet të bëjë hapa para drejt demokratizmit të procesit. Për LSDM-në është e pranueshme një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Dëshiroj t’i dëgjoj partitë më të vogla politike, sepse shumë shpesh ne partitë më të mëdha mblidhemi dhe nuk është korrekte që vetëm ne të vendosim. Kisha takim me ta dhe ata janë për një njësi zgjedhore. Besoj se shteti do të mbledh fuqi që të bëjë hapa para drejt demokratizimit më të madh përmes procesit zgjedhor, gjegjësisht modelit zgjedhor që ta përforcojmë pluralizimin në shtet përmes Parlamentit”, ka deklaruar Zaev.
Ahmeti: Vulosëm bashkarisht rrugëtimin euroatlantik
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka vlerësuar, se takimi tek Presidenti është një ndër takimet më konstruktive ku njëzëri nga të gjithë partitë është vulosur rrugëtimi euro-atlantik i vendit.
“Mund të them se ky është ndër takimet më konstruktive që kam pasur deri më tani, të gjitha partitë politike thanë se alternativa jonë e vetme është Bashkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Gjithashtu pas ratifikimit edhe Parlamenti ynë duhet të ratifikojë marveshjen për anëtarsim në NATO. Ramë dakord që me 12 prilli të mbahen zgjedhjet. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të pranueshme dhe demokratike, të lira sipas të gjitha standardeve. Le të fitojë më i miri”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickoski pas takimit të liderëve ka theksuar se është me rëndësi që u riafirmuan qëndrimet se të gjithë mbeten të përkushtuar në euro-integrime. Ai theksoi se vijojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të fitojë një Maqedoni e rindërtuar.
“Nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE. Ky ishte konstatim unanim i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim sa i përket mosmarrjes së datës për fillim të negociatave. Ndërkohë në pjesën e dytë ku u diskutua për zgjedhjet e parakohshme ramë dakord që 12 prilli të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për ne ishte shumë e rëndësishme që të marrim datë për zgjedhje të parakohshme. Kemi realitet të ri, do të kemi qeveri teknike dhe më 12 prill do të kemi fitues të ri të zgjedhjeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Partitë shqiptare pro zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi ka thënë se derisa Evropa t’i sqarojë punët e brendshme, ne duhet të vazhdojmë Evropën ta sjellim këtu dhe të vazhdojmë me reformat e posaçërisht ato në fushën e gjyqësorit.
“U dakorduam për 12 prillin si ditë zgjedhjeje dhe ditë feste për të gjithë qytetarët dhe tek shqiptarët do të vijë ndryshimi”, ka deklaruar Afrim Gashi.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është i gëzuar për konfirmimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Qëndrimi i përbashkët ishte se të gjithë duhet të punojmë për synimet tona për rrugën drejt BE. Kuptohet që me siguri ju kanë thënë se data për zgjedhjet e parakohshme është një sihariq për gjithë qytetarët, për të gjithë ata që vlerësojnë se ka ardhur dita e ndryshimit. Unë i bëj ftesë të gjithë njerëzve të mobilizohen që ta sjellin ndryshimin. Na priftë e mbara të gjithëve”, është shprehur Ziadin Sela.
Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka theksuar se tek subjekti i tij politik nuk ka pasur asnjë mëdyshje se pas mosmarrjes së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut duhet të shkojë në zgjedhje zë parakohshme parlamentare.
“Ne si BESA edhe më parë kemi konfirmuar se zgjedhjet duhet të mbahen. Tani është momenti më i përshtatshëm që qytetarët të tregojnë se cili është orientimi i tyre dhe kjo do të konfirmohet edhe në zgjedhjet e reja të parakohshme. Në asnjë moment nuk duhet të vihet në pikëpyetje procesi euroatlantik i Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, që më pas në samitin e radhës të marrim edhe datën për negociata”, nënvizon Kasami.
Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duhet të formohet qeveri teknike, të cilën duhet ta udhëheq personi i propozuar nga LSDM, ndërsa opozitës i takon Ministria e Punëve të Brendshme dhe dy ministri të tjera. Sipas kësaj Maqedonia e Veriut nga 3 janari 2020 do të udhëhiqet nga qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. /DW