Sport Marota nis manovrat me kosto zero: Në listë edhe Kristian Eriksen

Marota nis manovrat me kosto zero: Në listë edhe Kristian Eriksen

Rastet me kosto zero. Interi ka treguar gjatë sezoneve të fundit se di t’i shfrytëzojë. Në disa raste ka shkuar mirë, si në rastin e De Vrajt dhe Azamoahs. Në raste të tjera më pak, mjafton të kujtohet Vidiç. Ndërkohë që nuk është rasti i Godinit, i cili po has disa vështirësi në përshtatjen e mbrojtjes me tre, por vlera e tij, përkrah përfshirjes në kauzën interiste, është jashtë diskutimit. Qëndron fakti se okazione të tilla, kur prezantohen, duhen korrur gjithmonë, sepse në fund avantazhet potenciale janë më të larta se rreziqet.

Për këtë arsye Marota dhe Auzilio kanë përgatitur listën për sezonin e ardhshëm. Në krye spikat një emër në veçanti, ai i Kristian Eriksen, kontrata e të cilit me Totenhemin është pranë skadencës. Është pista kryesore që do ndiqet, por konkurrenca është e madhe. Plani fillestar është t’i propozohet futbollistit një kontratë në linjë me atë të firmosur nga Lukaku verën e kaluar, domethënë një mesatare prej 9 milionë eurosh (plus bonuse) në harkun e 5 viteve.

Në listën e drejtuesve të merkatos zikaltër qëndron edhe emri i një tjetër lojtari të Totenhemit: Jan Vertongen. Qendërmbrojtës me eksperiencë, duke konsideruar moshën (33 vjeç), por i mësuar me modulin me tre mbrojtës. E kush e di nëse, duke qenë bashkëkombës, Lukaku të mos i telefonojë.

NGA LONDRA NË PARIS

Kujdes edhe në korsitë anësore, por këtu duhet ndërruar shtet: nga Londra në Paris. Ku luajnë si Tomas Munier po ashtu edhe Lejvin Kurzava. I pari vepron në krahun e djathtë, i dyti në të majtin (dhe duke parë ndeshjet e fundit, me siguri në këtë anë do ketë nevojë për më shumë ndërhyrje).

Në tavolinë ndodhet edhe një tjetër opsion që ka emrin e Dris Mertens. Kontrata e belgut me Napolin skadon qershorin e ardhshëm dhe duke konsideruar situatën në klubin “axurr” dhe bisedimet për rinovim që nuk kanë nisur, menaxheri i ka propozuar Interit, i cili ka premtuar se do e vlerësojë pistën.